ITALI, 07 mars 2013 – Karabinierët e Vigevanos, Itali, kanë ndërrmarrë një operacion policor në shkallë të gjerë dhe kanë shkatërruar një grup kriminal ndërkombëtar, të përbërë nga shtetas italianë, shqiptarë dhe rumunë. Anëtarët e grupit shfrytëzonin prostitutat rumune, të cilat silleshin në Itali dhe detyroheshin me anë të forcës të ushtronin profesionin më të vjetër në botë. 30 urdhër arresti janë lëshuar në zonën e Lombardisë, ndërkohë që 10 të tjerë në Rumani, ku operonin pjesëtarë të këtij grupi.
Siç raportojnë mediat italiane, operacioni i sotëm policor “Alba Nostra” që çoi pas hekurave 40 persona, nisi pas një “lufte” të vërtetë mes grupeve rivale në Vigevano, dy vjet më parë, e cila i mori jetën 6 shqiptarëve dhe një prostitute rumune.
Kalvari i vrasjeve të dhunshme që mendohet të kenë lidhje me grupin kriminal të arrestuar mëngjesin e sotëm nisi më 21 maj të 2011, kur 33 vjeçari shqiptar Pellum Tartaraj u vra në mes të ditës në një lokal në periferitë e Vigevanos.
Tetë muaj më pas, dy persona vranë me pistoletë shqiptarin Edmond Shtejfni para syve të rreth 500 personave. Më 17 mars të 2011, përplasja mes grupeve kriminale do të shkaktonte dy viktima të tjera, 36 vjeçarin Almir Gajtani dhe 24 vjeçarin Martin Turka, të vrarë me kallashnikov në parkimin e klinikës Beato Matteo, Vigevano. Më 17 maj do të gjendej trupi pa jetë i prostitutës rumune Amalia Murgu, 25 vjeç.
Ndërkohë nëntorin e kaluar 2 shqiptarë të tjerë, dajë dhe nip, mbetën të vrarë në Abbiategrasso, 10 km larg Vigevanos. Sipas policisë vrasjet e fundit ishin një larje hesapesh mes grupeve të trafikut të drogës. Pikërisht nga këto vrasje, policia italiane nisi hetimet për grupin në fjalë që u konkretizuan me arrestimet e sotme. Sipas policisë grupi kriminal përbëhej nga 18 rumunë, 8 shqiptarë, tre egjiptianë dhe 11 italianë. Shqiptarët ishin përgjegjës për zonat ku ushtronin prostitucion vajzat rumune.
Ndërkohë po sot në Ravena janë ndaluar dy shqiptarë që shfrytëzonin një prostitutë rumune. Mediat e vendit fqinjë bëjnë të ditur se në pranga kanë përfunduar shtetasit me iniciale K.K., 22 vjeç dhe M.G., 29 vjeç, banues në qytetin e Pratos.
/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/





