PEKIN, 7 mars 2013 – Lushnjarët synojnë të mësojnë gjuhën kineze, radioja e jashtme e Kinës ka transmetuar një intervistë me zëvendëskryetarin e bashkisë së Lushnjës Gentian Nushi.

“Në Lushnjë ka shumë qytetarë që janë shkolluar në Kinë në vitet ‘70 të shekullit të kaluar dhe që kanë dëshirë ta praktikojnë gjuhën kineze dhe t’ua lënë atë brezave të ardhshëm”, thotë Nushi.

Mësohet se në bashkinë e Lushnjës u paraqit profesori i gjuhës kineze në Universitetin e Tiranës, Dong Hongjie, së bashku me një student të tijin nga ky qytet.

Profesori shprehu dëshirën që bashkia e Lushnjës të ishte një ndër institucionet bashkëpunuese në kuadrin e programit të Ministrisë së Arsimit të Kinës për përhapjen e mësimit të gjuhës kineze.

Pas kontakteve të nevojshme të fillimit, u përcaktua një takim në ambasadën kineze në Tiranë, ku u bë dhurimi i disa librave, që me të vërtetë ishin të veçantë dhe shumë të nevojshëm për mësimin e gjuhës kineze.

Pala kineze kishte ndër mend të niste një projekt pilot në Tiranë, por edhe Lushnja është e hapur për të bashkëpunuar në projekte të tilla.

Ka shumë biznesmenë lushnjarë dhe shqiptarë në përgjithësi që janë të interesuar për mësimin e gjuhës kineze.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/