Një kalë, i cili besohet se ishte më i vjetri në botë, ndërroi jetë në moshën 51-vjeçare, e cila e konvertuar në moshë njerëzore, rezulton midis 120-130 viteve.

Shayne, kali i një familje në Eseks, Britani, jetonte prej disa vitesh në një stallë, ku i ofroheshin përkujdesjet e nevojshme për moshën e tij të thyer.

Siç raportoi “Daily Mail”, kali 51-vjeçar vuante prej disa vitesh nga një artrit akut dhe nuk ishte më në gjendje që të vraponte më.

Në këtë gjendje të çalë, atij i lejohej që të qëndronte në ajër të pastër dhe të shëtiste për pesë orë në ditë.

Megjithatë, sëmundja u përkeqësua së fundmi dhe që prej muajit shkurt, kali i moshuar nuk mund të ngrihej dot më në këmbë.