SHKODER, 07 mars 2013 – Prokuroria e Shkodrës ka filluar procedimin penal për një 76-vjeçare, e cila bezdiste gjatë orëve të natës një 47-vjeçar, duke e marrë në telefon.

Sipas policisë, ka nisur ndjekja penale për shtetasen me inicialet S.N., 76 vjeçe, me banim në Durrës, pasi në orët e vona të natës ka komunikuar me keqdashje nëpërmjet telefonit me shtetasin Petrit Rrashketa, 47 vjeç me banim në Shkodër. 

Nga deklaratat e 47-vjeçarit, ka rezultuar se 76-vjeçarja kishte kohë që e bezdiste gjatë natës për të folur në telefon, çka është kthyer në shqetësim jo vetëm 47-vjeçarin, por edhe për 3 djemtë dhe bashkëshorten e tij. 

Mësohet se 47-vjeçari i kishte kërkuar disa herë të moshuarës që të mos i binte më telefonit, por pavarësisht kësaj, ajo ka vazhduar me telefonatat e orëve të vona, çka ka detyruar kryefamiljarin të ngrejë padi. Sipas policisë, e moshuara vuante nga depresioni.