TIRANË, 6 mars 2013 – Në qendrën e Mbikëqyrjes Elektronike, më 6 mars 2013, nisën punën punonjësit e Shërbimi i Provës, të ngarkuar me detyrën e ekzekutimit të vendimit gjyqësor për personave që u kufizohet lëvizja. Për zbatimin e vendimit gjyqësor Shërbimi i Provës do të bashkëpunojë me Prokurorinë dhe Policinë e Shtetit.
Konkretizohet kështu një nga reformat më ambicioze të Ministrisë së Drejtësisë, një sistem që kursen para për shtetin me uljen e mbipopullimit në burgje, redukton burokracinë, por edhe mban nën kontroll sigurinë publike.
Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi uroi ditën e parë të punës për 12 punonjësit e Shërbimit të Provës .
Në fjalën e tij mbajtur me këtë rast Ministri Halimi tha: “Sot është një ditë e veçantë për ministrinë e Drejtësisë, ka përfunduar një nga reformat më të rëndësishme për Reformën në Drejtësi, që kanë në fokus trajtimin e të dënuarve, masat alternative dhe modernizimin e sistemit të dënimit në Shqipëri”.
Halimi deklaroi se “për herë të parë në Shqipëri filloi implementimi i mbikëqyrjes elektronike të personave me vendim gjyqësor. Nga sot Shqipëria bëhet i vetmi vend në rajon që aplikon mbikëqyrjen me “byzylyk elektronik”, apo çip elektronik për subjekte të veçanta”,.
Kreu i Drejtësisë Halimi tha se mbikëqyrja elektronike do të nisë si projekt pilot, për rastet e arresteve shtëpiake, për personat në shërbim prove për përdorim të lëndëve narkotike, në mënyrë që ata të mos u afrohen shkollave, personat që ushtrojnë dhunë në familje etj.
Nga mbikëqyrja elektronike do të përfitojnë edhe të dënuarit ne moshe te re, të cilët duan të ndjekin dhe shkollën, të dënuarit që marrin leje nga burgjet, duke reduktuar procedurën.
Sistemi është ndërtuar me teknologjinë më moderne në Evropë. Aplikimi i mbikëqyrjes elektronike e vendos Shqipërinë në pozicionin e liderit në rajon. Nga ky projekt fillimisht do përfitojnë 300 të dënuar.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





