DURRES, 06 mars 2013 – Grinden për një copë bakër, 10-vjeçari plagos me biçak një 11 vjeçar. Konflikti mes fëmijëve të mitur është regjistruar mesditën e së martës në fshatin Shkallnur të Durrësit. Burime policore bëjnë të ditur se dy fëmijët e vegjël mblidhnin skrap pas orëve të mësimit dhe një ditë më parë kanë qenë duke punuar në të njëjtin vend. Pikasja e një cope metali bakri, që për ta ishte me mjaft vlerë, ishte shkaku i nisjes së konfliktit. Secili pretendonte pronësinë mbi copën e metalit e për këtë shkak ka nisur grindja e më pas përplasja fizike. Të miturit, pasi janë konfrontuar fizikisht, njëri prej tyre ka nxjerrë nga xhepi një biçak për t’ia ngulur 11 vjeçarit në bark.

Policia bëri të ditur se i plagosur ka mbetur 11-vjeçari me iniciale R. H., banues në Shkallnur Durrës, nxënës në klasën e katërt. I plagosuri u transportua për në spital nga banorë të zonës, të cilët ushtrojnë aktivitetet e tyre pranë zonës ku ndodhi plagosja.

Burime nga spitali i Durrësit, ku dhe 11-vjeçari u dërgua për të marrë ndihmën e parë, u shprehën se e ka kaluar rrezikun, ndërsa gjendja e tij shëndetësore është përmirësuar. Mjekët thanë se 11-vjeçari kishte marrë vetëm një plagë, në pjesën anësore të barkut.

Policia ka shoqëruar në komisariat 10-vjeçarin me iniciale D.S, që për shkak të moshës së mitur është lënë i lirë. Fëmijët jetojnë në të njëjtin fshat dhe janë shokë të së njëjtës klasë. Duke qenë se zona në fjalë është mjaft e pasur me mbetje hekuri, pas daljes nga mësimi të vegjlit ndaleshin për të mbledhur skrap në dhjetëra vend-grumbullime mjetesh automobilistike.

/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/