BULQIZE, 06 mars 2013– Policia ka nisur kontrollin e imtësishëm të të gjitha mjeteve që transportojnë krom nga Bulqiza në drejtim të portit të Durrësit.
Pas një përplasje me armë mes grupeve që kërkojnë të mbajnë nën kontroll në mënyrë të jashtëligjshme zonën D, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, në bashkëpunim edhe me Prokurorinë ka nisur kontrollin e personave që shfrytëzojnë kromin në mënyrë të jashtëligjshme.
Kontrolle po bëhen edhe ndaj mjeteve që lëvizin me targa të huaja apo xhama të zinj.
Për të mbështetur këtë operacion në Bulqizë prej dy ditësh Forcat Speciale kanë ushtruar kontrolle në zonën D sidomos në zonat më problematike të konflikteve mes palëve për zaptim të galerive të kromit.
Për gjatë gjithë natës kontrolle të vazhdueshme u janë bërë edhe makinave që kanë lëvizur natën vonë duke u bërë kontrolle për armëmbajtje pa leje dhe drogë.
Nga këto operacione janë bllokuar shumë mjete pa dokumenta të rregullta si dhe është arrestuar një person me armë.





