ITALI, 05 mars 2013 – Skuadra e lëvizshme në Brescia, Itali, ka arrestuar dy shqiptarë të moshës 37 e 29 vjeç, që banonin në Desenzano, Garda. Shqiptarët, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur, janë akuzuar për shpërndarje lëndësh narkotike, pasi në apartamentin e tyre, në Sirmone u gjetën 15 kg kokainë. Hetimet nisën pas disa sinjalizimeve se në apartamentin ku banonin dy shqiptarët kishte hyrje dalje të shumta.

Pasi i mbajti nën vëzhgim dy shqiptarët që banonin në apartamentinë në fjalë dhe disa persona të tjerë që banonin në rrugën XX Settembre, policia ushtroi një kontroll në apartamentin e shqiptarëve ku gjeti 15 kg kokainë, një peshore elektronike, açeton dhe një presë metalike që përdorej për paketimin e substancës narkotike.

Karabinierët kanë sekuestruar edhe katër automjete që përdoreshin nga dy shqiptarët e arrestuar. Sipas policisë apartamenti i shqiptarëve shërbente si magazinë për depozitimin e sasive të mëdha të kokainës dhe lënda narkotike ishte e destinuar për zonën rreth liqenit Garda dhe periferitë e Veronës. 

/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/