DURRES, 05 mars 2013 – Teuta ka nisur përgatitjet për dy ndeshjet e radhës të cilat do t’i luaj në Vlorë kundër vendasve të Flamurtarit. Durrsakët brenda katër ditësh do të luajnë dy herë në stadiumin e Vlorës; në mesjavë për Kupën e Shqipërisë, ndërsa në fundjavë për kampionat. Duke qenë se në Kupë Teuta i ka larë duart prej kohësh, këtë ndeshje djemtë e detit do ta përdorin për t’u përgatitur sa më mirë për ndeshjen e kampionatit, e cila i është mjaft përcaktuese për vendin e dytë në Super ligë.

Flamurtari është kundërshtari direkt i Teutës në luftën për vendin e dytë, prandaj kjo ndeshje ka rëndësi të veçantë për të dyja skuadrat, që kanë dy pikë diferencë me njërë-tjetrën. Në kampin durrsak mbizotëron një atmosferë optimiste, ndërsa lojtarët dhe stafi drejtues premtojnë se në Vlorë do të japin maksimumin për të siguruar vendin e dytë. Mesfushori Renato Hyshmeri në një prononcim për agjencinë e lajmeve “Dyrrah” u shpreh se skuadra e tij i ka dhënë prioritet ndeshjes së kampionatit, por do ta vlerësoj maksimalisht edhe ndeshjen e kupës.

“Na ndajnë vetëm pak orë nga dy sfidat me Flamurtarin. Të mërkurën do të ndeshemi për Kupë. Në ndeshjen e së markurës do futemi në fushë me qëllimin për të bërë një paraqitje dinjitoze. Për ne e rëndësishme është ndeshja e fundjavës, e cila është e vlefshme direkt për vendin e dytë. Synimi ynë kryesor i këtij sezoni, është të shpallemi nën kampion. Besoj se do të jenë dy sfida të vështira, por besoj se do t’ia dalim me sukses”, përfundoi mesfushori elbasanlli, i cili luan sezonin e tij të dytë në radhët e skuadrës së Teutës. Një sezon më parë Hyshmeri u shpall lojtari më i mirë i fazës së parë i kategorisë superiore. 

/m.l. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/