KINE, 03 mars 2013 – Një ngjarje e pazakontë i ka ndodhur një fotoreporteri që po përpiqej të fiksonte në aparatin e tij fotografik mjegullën që kishte pushtuar urën mbi lumin Wuhan Yangtze, në provincën Hubei, në Kinën qendrore.
Ndërsa ishte i përqendruar të gjente këndin e duhur për të shkrepur fotot, fotografi ka kapur instiktivisht hedhjen nga ura të një burri dhe një gruaje. Sipas tij gjithçka ishte krejt e rastësishme.
“Isha i përqendruar tek aparati fotografik dhe nuk e kisha vënë re se kisha fotografuar një person që po hidhej nga ura”,- tregon fotografi.
Por habia e tij nuk përfundoi këtu. Sepse një moment më vonë, pasi dikush bërtiti se një burrë u hodh nga ura, një grua e pasoi atë.
Fotografi sërish shkrep aparatin rastësisht, sepse ndihej “totalisht i paralizuar” dhe i pafuqishëm përballë vetëvrasjes së dytë.
Policia kineze ka mundur deri tani të identifikojë vetëm burrin që u vetvra. Sipas policisë bëhet fjalë për një të ri 20-vjeçar, Liu Han, ndërkohë vajza, e cila mbetet ende e paidentifikuar mendohet të jetë e dashura e tij. Nuk dihet cilat kanë qenë arsyet që e shtynë çiftin të ndërmerrte aktin ekstrem.
/m.b. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/