Pianisti klasik Van Cliburn vdiq më 27 shkurt në moshën 78 vjeçare. Ai ishte vetëm 23 vjeç kur tërhoqi vemendjen e botës pasi fitoi Konkursin Ndërkombëtar Çaikovski në Moskë. Përveç suksesit të tij prej dekadash në koncerte dhe inçizime albumesh, ai ndihmoi karierën e artistëve të rinj duke krijuar disa programe arsimi si dhe duke organizuar konkursin vjetor ndërkombëtar në piano në Fort Worth të shtetit Teksas, i cili mban edhe emrin e tij.
Në vitin 1958, Van Cliburn mori menjëherë famë botërore kur fitoi Konkursin Ndërkombëtar Çaikovski në Moskë. Kjo bëri bujë që një amerikan të fitonte një konkurs në Moskë gjatë luftës së ftohtë. Fitorja e Van Cliburnit në atë konkurs u festua jo vetëm nga amerikanët, por edhe nga rusët.
Korrespondenti i gazetës New York Times në Moskë, Max Frankel mbuloi konkursin dhe shkrunte: “Publiku sovjetik festoi fitoren e Cliburnit jo vetëm për talentin e tij, por edhe për kombësinë e tij; dashuria për të ishte një shprehje e qartë se dashurisë për Amerikën”.Van Cliburn e fitoi atë konkurs për forcën e interpretimit të tij të Koncertit Nr. 1 të Çaokovskit.
Kur u kthye në Shtetet e Bashkuara, kompania RCA Records nxori në shitje albumin e parë të Van Cliburnit, që përmbante edhe pjesën fituese. Ajo fitoi edhe çmimin Grammy dhe u shit në më shumë se 1 milion kopje, duke e bërë Cliburnit artistin e parë amerikan, që fitonte këtë statujë me albumin e parë.
Van Cliburn lindi në Shreveport të Luizianës më 12 korrik të vitit 1934 dhe filloi të studionte piano kur ishte 3 vjeç me nënën e tij, një pianiste e talentuar. Në moshën 12 vjeçare, Cliburn mori pjesë për herë të parë me Simfoninë e Hjustonit dhe pas 5 vjetësh mori bursë për të vazhduar studimet në shkollën prestigjoze Juilliard të Nju Jorkut.
Pas diplomimit, për disa vjet ai ishte pjesë e disa orkestrave të njohura, që pasuan pjesëmarrjen e tij në Konkursin e Parë Ndërkombëtar Çaikovski në Moskë. Cliburn me muzikën e tij, jo vetëm që pasqyronte aftësitë e tij muzikore dhe teknike, por edhe vendosmërinë për të kënaqur audiencën.
“Artisti gjithnjë dëshiron të luajë mirë dhe nëse kjo nuk ndodh, vetë arsisti është më i pakënaquri. Prandaj unë përpiqem të interpretoj sa më mirë dhe të kënaq ata që duan të dëgjojnë muzikën time”.
Van Cliburn ia dedikoi shumë vite të jetës ndihmës për artistët e rinj, duke krijuar programe bursash për shkolla dhe universitete në gjithë botën. Në vitin 1962, ai organizoi Konkursin Ndërkombëtar në Piano, Van Cliburn në Fort Worth të Teksasit. Gjatë viteve, ky konkurs ka përmirësuar karierën e shumë muzikantëve të rinj.
“Ka qënë një përvojë interesante të shikosh artistët e rinj. Ata takohen, njihen me njeri tjetrin dhe krijojnë miqësi dhe mbajnë korrespondenca. Është një kënaqësi e madhe. Është e njëjta ndjenjë që unë pata kur shkova në Rusi në vitin 1958. Ngrohtësia dhe miqësia, që më ndihmua për shumë vite me rradhë”.
Van Cliburn e pati të vështirë të ruante balancën mes jetës personale dhe kërkesave për turne të njëpasnjëshëm. Nga mesi i viteve 1970-të ai u largua nga skena, por pas 11 vjetësh shkëputjeje, ai filloi të jepte koncerte të rrallë dhe në vitet 1990-të ai zhvilloi shumë turne.
Van Cliburn ishte fitues i disa prej medaljeve më të nderuara të Amerikës, mes tyre medalja e nderit e Qendrës Kennedy, Medalja Presidenciale e Lirisë, Medalja Kombëtare e Arteve dhe çmimi Grammy për arritje të jetës. Cliburn doli për herë të fundit në publik shtatorin e kaluar me rastin e 50 vjetorit të Konkursit Ndërkombëtar në Piano Van Cliburn. Ai vdiq në moshën 78 vjeçare të mërkurën në mëngjes në Fort Worth të Teksasit.