ITALI, 02 mars 2013 – Karabinierët e Milanos kanë ndaluar në Lodigiano, për mbajtje të paligjshme të lëndëve plasëse katër persona, nga të cilët 3 shqiptarë dhe një rumun. Policia nuk bën të ditur emrat e tyre, por vetëm moshën, që varion nga 21-34 vjeç.
Duket se karabinierët i kanë futur në kurth të rinjtë duke u hequr sikur ishin të interesuar të blinin lëndën plasëse. Tratativat mes policëve të maskuar dhe grupit prej katër personash kanë nisur që në muajin janar.
Karabinierët kanë ndërhyrë në momentin kur të ndaluarit po i dorëzonin një kampion të lëndës plasëse policëve të veshur tebdil. Në shtëpinë e njërit prej të ndaluarve policia ka gjetur dhe sekuestruar 2 kg eksploziv minash, që ju nënshtrua menjëherë pastrimit, për shkak të gjendjes mjaft të keqe në të cilën ishte ruajtur, një pistoletë të kalibrit 7,65 dhe 5 fishekë.
/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/





