DURRES, 02 mars 2013 – Shoqata “Gruaja e Kohës dhe ekonomia” prezantoi sot në një aktivitet të mbajtur tek pallati i kulturës 10 gratë më të suksesshme përgjatë një viti në Durrës. Projekti “Kryefjala je ti”, për 15 vite me rradhë ka evidentuar femrat më të suksesshme në profesionin që ato ushtrojnë dhe ka kontribuuar për të rritur e fuqizuar rolin e grave si forcë potenciale në shoqërinë tonë.

Kryetarja e shoqatës, Myzejen Konduri, u shpreh gjatë fjalës së saj se në këto 15 vite shoqata është përpjekur për të realizuar misionin e saj “Së bashku drejt zhvillimit”.

“E rëndësishme është se në këtë rrugëtim punuam së bashku me koncepte bashkëkohore për të qenë pranë problemeve të fokusuara për zgjidhje si dhe për të sensibilizuar për vështirësitë që hasin në bizneset e fushat ku kontribuojnë gratë, ndonëse ndonjëherë edhe s’ia dolëm. Arsyet herë ishin tonat, herë indirferenca, herë zvarritja burokratike e herë mos vlerësimi. Por ne e dimë se mbetet ende për t’u bërë më shumë”,- tha Konduri.

Duke u ndalur tek përzgjedhja e sivjetshme, Konduri nënvizoi se gratë më të suksesshme në profesionin e tyre janë të fushave të ndryshme; nga mësimdhënia tek mjekësia, nga aktrimi tek ekonomia, nga portet drejtuese të administratës shtetërore tek sipërmarrjet private. “Kjo larmi fushash në të cilat gratë japin kontributin e tyre në shoqëri flet qartë për potencialin e madh që femrat ruajnë në vetvete dhe e shpalosin çdo ditë në punën e tyre”,- vijoi më tej Konduri.

Aktiviteti, që këtë vit përkonte me 15 vjetorin e shoqatës “Gruaja e kohës dhe ekonomia vijoi më pas me numra të ndryshëm artistikë.

10 gratë më të suksesshme në Durrës:

1.    Enkeleda Softa – Dr. jurisprudencë

2.    Jerina Kolitari – Dr. Shkencave Veterinare

3.    Edlira Habip – Kontabël i miratuar

4.    Monada Mehmetaj – Drejtoreshë e shkollës së mesme “Naim Frashëri”

5.    Monika Tahiri – Drejtoreshë e ISSH-së, Durrës

6.    Xhevahire Shkreli – Mjeke

7.    Sanie Hoti – Aktore

8.    Valentina Repçe – Kryetare e degës së burimeve njerëzore UAMD

9.    Alma Tepshi – Biznesmene

10.  Xhilda Madani – Drejtoreshë e kopshtit “1 maj”   

/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/