Koment nga BUJAR QESJA
DURRES, 02 mars 2013– Të premten në mbrëmje, në Ramazan Njala Teuta “godet” rrufeshëm Tiranën. Gjithnjë bëhet fjalë për volejbollin e meshkujve, ku durrsakët kërkojnë të bëjnë ligjin. Me tri përforcime pikante, shprehje e kujdesit të presidentit Markelian Rexhepi ku drejton tekniku maqedonas Harri Nakovski dhe luajnë si titullarë malazezi Vuk Medenica dhe Nikola Renovica, durrsakët kërkojnë më shumë se kurrë të sulmojnë kreun. Por deri tani nuk kanë mundur të thyejnë hegjemoninë e Studentit, që ka në krye një “skile” të vjetër me emrin Ylli Tomori. Ky dinak i rrjetës tiranase vepron me shumë finokëri në fazën përmbyllëse të kampionatit, atëherë kur luhen takimet e plejofit. Edhe shpenzimet për të marrë lojtarë të huaja janë më të vogla dhe efikasiteti bëhet më i madh. Kështu diku nga fundi i fazës së dytë, ai rrëmben volejbollistin serb Pedrag Përziç dhe bosnjakun Abdel Zolota, që të dy të nivelit ndërkombëtar. Kështu të dy ekipet elitare tash për tash në volejbollin shqiptar Studenti dhe Teuta, janë në konkurencë edhe të demostrimit të merkatës së bërë me volejbollistë të huaj.
Beteja po zhvillohet dhëmb për dhëmb dhe nga java në javë është ashpërsuar dukshëm, gjithnjë në raporte të moralit sportivo qytetar. Pas mbarimit të kampionatit, është zhvilluar faza e Top Volej Liga me pjesmarrjen e Studentit, Teutës, Tiranës dhe Vllaznisë. Ndeshjet janë zhvilluar me dy takime me sistem rrethi. Teuta dhe Studenti janë me nga një humbje, por me sete tiranasit janë më mirë. Teuta humbet në Durrës me Studentin dhe ia lanë hakun në Farije Hoti në Tiranë, në një nga ndeshjet më spektakolare. Kanë mundur Vllazninë dy herë dhe dje në mbrëmje goditën fuqishëm Tiranën 3-0, duke e mundur para disa javësh edhe në shtëpinë e saj. Ajo që pritet me ankth në opinionin sportiv durrsak, është takimi që zhvillohet sot (dt.2 mars 2013)në orën 17.00 në pallatin e sportit Qazim Dervishi të Shkodrës. Vllaznia pret Studentin. Ajo që vlen për Teutën është, që shkodranët t’i marrin vetëm 1 set Studentit që vlen për kalimin e tyre në vënd të parë. Pas mbarimti të Top Velel Liga, fillon plejofi ndërmjet vendit të parë dhe të dytë me 5 takime. Por ekipi që është renditur i pari zhvillon 3 ndeshje në fushën e tij, kundrejt 2 të kundërshtarit. Prandaj edhe durrsakët janë me sy e me veshë, në këtë pasdite të vonë në Shkodër. Pak orë para një versioni. Shpresojmë që Teuta të jetë me fat dhe të renditet e para, për të fituar të drejtën e tri takimeve në fushën e saj. Por edhe sikur të ndodh e kundërta, ballafaqimi i Teutës me Studentin ka për të qenë tejet interesant, i denjë për t’u ndjekur nga amatorët e shumtë të volejbollit.
Gjithsesi ndodhemi pak orë para një versioni. Të bëhet më e mira.





