TIRANE, 02 mars 2013– Ka kaluar një muaj nga vrasja e Artanit, por ende nuk ka një autor për ngjarjen". Këtë ka deklaruar Ali Xhihani, kunati i baristit që u vra afro një muaj më parë në shtetin fqinj të Italisë, Artan Meta. Xhihani ka zgjedhur redaksinë e "Gazetës Shqiptare" për të kërkuar drejtësi për vrasjen e të afërmit të tij. "Zgjodha këtë mënyrë për të kërkuar drejtësi, sepse ka kaluar një muaj që nga dita që është vrarë Artani dhe ende nuk ka një të arrestuar për vrasjen e tij. Avokati na tha që duhet të kalojnë 60 ditë që ai të arrestohet", – pohon Xhihani për "GSH". Sipas tij, karabinierët italianë, edhe kur e kanë ndaluar 18-vjeçarin që rrahu për vdekje baristin Artan Meta, nuk e kanë ndaluar me akuzën e vrasjes. "Ne presim që drejtësia italiane të veprojë, por deri tani ajo ka heshtur. Ndërsa neve shqiptarët, sikur edhe një qen të vrasim në Itali, na fusin në burg, jo më për vrasjen e një personi, që ka masa më të ashpra", – rrëfen gjatë bisedës telefonike Ali Xhihani, kunati i baristit që u rrah për vdekje nga një adoleshent italian.
Një muaj më parë
Rreth një muaj më parë, Xhihani ka dhënë një intervistë për "GSH", ku ka dhënë detajet e rrahjes brutale të Artanit.
Z.Xhihani, a mund të na tregoni versionin tuaj për ngjarjen dhe se si e morët vesh për vdekjen e Artanit?
Atë ditë Artani ka shkuar të çonte vezët tek pronari i lokalit, i cili ishte mbyllur. Ky djali ka shkuar për të marrë një paketë me cigare tek makineta; ajo nuk ia ka nxjerrë paketën dhe ai e ka goditur me shqelm makinetën. Artani, duke qenë se kishte 22 vjet që punonte në atë lokal, i erdhi keq dhe i ka thënë "pse i bie me shkelm makinetës?" Në këtë moment, ky djali, bashkë me dy shokët e tij i janë kthyer Artanit duke e goditur me shqelm tek tëmthi i kokës. Këta djemtë merreshin me arte marciale, se na tha mjeku që goditjet ishin të tilla, dhe pas goditjes së parë, Artani ka rënë në tokë. Pas kësaj, autori ka shkuar sipër Artanit dhe e ka gjuajtur me grushte e shqelma. E kanë goditur 7 herë, duke i thyer të gjitha kockat e kokës.





