TIRANE, 02 mars 2013– Arben Frroku, i dyshuari kryesor për vrasjen e komisar, Dritan Lamaj, rezulton një ndër kandidatët për deputetë të Partisë Kristian-Demokrate (PKD) për Qarkun e Shkodrës. Platformën e tij elektorale ai e ka publikuar në rrjetin social të Facebook, në datën 22 shkurt 2013, dy ditë para vrasjes së komisarit Lamaj. "Gazeta Shqiptare" boton sot të plotë mesazhin e Frrokut drejtuar banorëve të Qarkut të Shkodrës nëpërmjet faqes zyrtare të PKD në Facebook. 

 

MESAZHI IM PËR JU…

I nderuar mik, mike, bashkeqytetarë, bashkëfshatarë, intelektualë apo njeri i thjeshtë i zakonshëm, kudo që ndodhesh në gjithë qarkun e Shkodrës! Në pamundësi për t'u takuar të gjithëve një për një për arsye objektive, do doja të bashkëndaja me ju disa mendime, opinione, arsyet, shkaqet që më shtynë për të kandiduar, dhe përfaqësuar me siglën PKD.
Unë quhem Arben Frroku, lindur në fshatin Kçir, të rrethit Pukë, më 1969 dhe banues aktual në Tiranë. Vijë nga një familje e thjeshtë që ka përfaqëuar gjithmonë cilësitë, vlerat dhe traditat më të mira të zonës, si mikpritjen, bujarinë, respektin për mikun dhe për shokun, krenarinë për të parët; besimin në ZOT dhe tek puna e ndershme. Kam pasur një sërë eksperiencash sipërmarrjesh të ndryshme, që më kanë dhënë shtysën, motivimin, përvojën e nevojshme për t'u përballur në çdo situatë dhe për t'u bërë më pas një biznesmen i suksesshëm. Po e them që në fillim: Jam krenar për çka kam arritur, duke ngritur lart emrin, moralin e zonës prej nga vijë, duke u bërë shembull i njeriut që guxon dhe fiton, që beson se në këtë botë nuk ka gjë të pamundur, të paarritshme! Por më lejoni të shpjegojë arsyet e kandidimit tim në këto zgjedhje… 

Jetojmë në kohë të vështira me shumë probleme, me shumë mungesa me pasiguri të thellë, me frikën e së nesërmes. Por kriza e besimit, thënia se "ky vend nuk mund të bëhet", është më e rëndë se varfëria, listat e broxheve të ushqimit të përditshëm. Ne shqiptarët nuk jemi as më të mirë dhe as më të këqinj se popujt e tjerë, por kemi një defekt në gjenetikën tonë, se jemi konstatues, ankimtarë të pandreqshëm, e duam të mirën, por kërkojmë që ndryshimin të na i bëjnë të tjerët. Madje edhe kur dikush tenton të hedh një hap, të marrë një inisiativë, më përpara se ta përgëzojmë, ta mbështesim e paragjykojmë, e baltosim, shprehemi skeptik. Si rezultat aksioni ynë publik, civil është baraz me zero. Në këtë nivel kanë qënë edhe elitat. Pyetja që i bëjmë pareshtur vetes është: "A ka dritë në fund të tunelit?!" Po t'i bashkojmë të gjitha pyetjet tona, të gjitha PSE-të, të gjitha PO SIKUR-et, mund të kemi një përgjigje. E cila përkufizohet: "Fati ynë është në duart tona!". Tek unë tek ti, tek familja, tek shokët, tek farefisi, tek të qënit këmbëngulës dhe të për-gjegjshëm. Hajde ta ndryshojmë! Unë guxova të bëjë një hap, guxoni dhe juve, sot kërkojë të më mbështesni, nesër jam gati të mbështes çdo njërin prej jush në shërbim të së mirës, të së drejtës, kombit, atdheut! Votimi me militantizëm, me pasione, është thika që ia ngulim vetes pareshtur! 

Slogani i Partisë Kristian Demokrate që unë përfaqësojë, i kësaj filozofie që sot drejton Europën moderne, është: "Vota e duhur, mundësi dhe kohë e fituar!" Dhe shqipëria të nderuar miq, të nderuar bashkëkombas ka humbur shumë kohë deri më sot. Shqipëria është një e pandarë, shqipëria duhet rimëkëmbur dher për këtë nuk ka asnjë justifikim! Këtu jetojmë ne, jetojnë fëmijët tanë, do jetojnë brezat që doo të vijnë. Ky vend është e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja jonë; gjithçka që kemi, që na e ka faluar Zoti dhe Natyra! Në konceptin tim nuk mund të ketë një të majtë dhe të djathtë të ndara definitivisht, nuk mund të ketë një popullsi urbane dhe rurale të izoluara reciprokisht, një Jug apo Veri si gjymtyrë të veçuara pa lidhje funksionale; të gjitha këto përbëjnë një tërësi konceptesh, përvojash, qeniesh, vlerash, ndjesish, territoresh që duhet të sinkronizohen në mënyrë shembullore dhe harmonike. Shqiptarët pas njëzetë e dy vitesh pluralizëm gjenden në një situatë kritike, ku mbijetesa, plotësimi i nevojave elementare është problemi i madh i çdo dite. Për të gjitha këto arsye madhore miqtë e mi, për të gjitha këto aspirata, i bëra apel vetes, iu binda zërit të ndërgjegjes time, për t'u paraqitur para jush dhe për t'ju kërkuar të më mbështesni, të më ndiqni pas në këtë rrugëtim të gjatë dhe të vështirë! Sidoqë të jetë vendimi juaj final: Ju faleminderit që patët mirësinë për të harxhuar me mua minutat.