GREQI, 01 mars 2013 – Një makinë brenda së cilës ndodheshin 110 kg lëndë narkotike e tipit kanabis sativa ka mundur të çajë forcërisht kufirin grek dhe të rrezikojë jetën e efektivave policore të vendit fqinjë, por është kapur nga policia greke në afërsi të Prevezës.
News 24 raporton se sipas burimeve nga policia greke, droga ka kaluar nga Janjari e Sarandës drejt Igumenicës. Policia greke ka pikasur automjetin dhe i ka bërë shenjë për të ndaluar, por drejtuesi i automjetit nuk i është bindur dhe ka vijuar rrugën.
Në Prevezë, të njoftuar nga homologët e tyre, është ngritur një tjetër postbllok por automjeti ka çarë forcërisht dhe me shpejtësi postbllokun policor, veprim i cili ka rrezikuar dhe jetën e policëve grekë.
Më pas ajo ka vijuar të lëvizte me shpejtësi drejt qytetit Aktio, por në fund është ndaluar në Amfiloqi, pasi nuk kishte rrugëdalje tjetër, pasi makina është përballur në këtë vend me një postbllok të përforcuar.
Policia greke ka sekuestruar lëndën narkotike dhe ka arrestuar drejtuesin e automjetit, një djalë të ri që rezulton person me precedentë penalë dhe në kërkim për trafik droge, por nuk jep emrin e tij.





