SHKUP, 01 mars 2013 – Të rinj të shumtë maqedonas të cilët po protestonin kundër ministrit të Mbrojtjes, Talat Xhaferi, kanë sulmuar disa shqiptarë në sheshin e Shkupit, njofton Zhurnal.

Siç njoftojnë mediat vendase, të cilat kanë publikuar edhe disa fotografi nga vendi i ngjarjes, turma e të rinjve është zhvendosur në sheshin e Shkupit, me qëllim që përmes Urës së Gurit të kalonin dhe në anën tjetër të Shkupit.

Një pjesë e tyre kanë pikasur disa shqiptarë të cilët po kalonin urën, dhe iu janë vërsulur duke i grushtuar dhe shkelmuar.

Policia ka vonuar me reagimin, por ka arritur të ndalojë disa persona. Forcat e sigurisë kanë vënë një kordon përpara Urës së Gurit për të parandaluar kalimin e protestuesve në anën tjetër të Shkupit.

Versioni i MPB-së për ngjarjet e dhunshme

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) të Maqedonisë ka dhënë versionin e saj fillestar për ngjarjet e dhunshme të ndodhura pasditen e sotme. 

Sipas zëdhënësit të MPB-së, Ivo Kotevski, protesta e paralajmëruar në shenjë revolte kundër ministrit të Mbrojtjes, Talat Xhaferi, ka degjeneruar në momentin kur disa protestues me maskë në fytyrë kanë hedhur gurë në drejtim të Policisë dhe godinës së Qeverisë. 

“Turma është drejtuar më pas nga qendra e qytetit, ku kanë sulmuar fizikisht disa qytetarë. Nuk kemi informacione të sakta se cili është numri i personave të lënduar”, ka deklaruar Kotevski.  

Sipas tij, numri i policëve që janë ankuar për lëndime është i madh. 

Ndërkohë, gazetari i “Zhurnal” ka informuar se protestuesit maqedonas kanë sulmuar me gurë edhe autobusin nr. 9, në stacionin përpara pishinës “Olimpik” në Shkup.