LAÇ, 01 mars 2013 – Një 36-vjeçar, baba i shtatë fëmijëve, është gjetur i vdekur në autostradën Fushë Krujë – Milot. Policia ka bërë të ditur se trupi i pajetë i gjetur poshtë një ure nga kalimtarë të rastit i përket Aleks Kaçit, nga Mamurrasi. 

Trupi i 36 vjeçarit u gjet poshtë urës në autostradën Fushë Krujë- Milot. Gjatë konstatimeve të para në vendngjarje, në trupin e viktimës sipas policisë, janë gjetur shenja gjaku në kokë dhe fytyrë.

Policia ka nisur hetimet dhe po punohet në dy pista, atë të humbjes së jetës si pasojë e rënies nga ura, por nuk përjashtohet dhe mundësia e një vrasjeje të qëllimshme. Ndërkohë trupi i tij është dërguar në morgun e spitalit të Laçit.