Është larguar nga jeta në moshën 43 vjeçare, legjendari i Kick Boxing dhe Muay Thai, Ramon Dekkers.

I ashtuquajturi “Diamond” Dekkers, po udhëtonte me biçikletë në Breda të Holandës, kur papritur iu morën mend dhe u rrëzua përtokë.

Disa kalimtarë nxituan ti ofronin atij ndihmë deri sa të mbërrinte ambulanca, por pa rezultat.

Ramon Dekkers i filloi artet luftarake, në moshën 12 vjeçare, ndërsa sporti i tij i parë ishte Judo. Më pas filloi mundjen për një vit, por në vazhdim e fitoi Muay Thai dhe më vonë Kick Boxing.

Titullin e tij të parë e fitoi në moshën 18 vjeçare. Doli 8-të herë kampion bote, ndërsa bëri karrierë të madhe në Tajlandë. Në vitin 2006 u tërhoq nga ndeshjet dhe që nga ajo periudhë ishte i pranishëm si mësues i Muay Thai në vendlindjen e tij. Insistoi dhe bëri çmos që të zhvillohej dhe të vihej në epiqendër kick boxing, gjë qe e arrit me sukses dhe mbeti në histori si më i suksesshmi arteve luftarake, si brenda në ring po ashtu dhe jashtë tij.