LEZHE, 01 mars 2013– Aranisa nuk dëshiron që t’ia përmendësh më emrin e bashkëshortit të saj, Mirash Kolaj. Është 25 vjeçe dhe nga martesa me 37-vjeçarin që ndodhet pas hekurave të burgut nën akuzën e përdhunimit dhe privimin e lirisë së tjetrit, ka një vajzë 3 vjeçe. Aktualisht vijon të jetojë në shtëpinë e të shoqit, ku ngjitur banojnë prindërit dhe vëllai i tij. Në këtë banesë, në njërën prej dy dhomave që e përbëjnë, ajo ka ndarë shtratin me bashkëshortin dhe një 21-vjeçare, të cilën ai ia çoi drejt e në derë një natë shkurti.
Mirashi i ka prezantuar femrat e shtëpisë: Gruaja, vajza dhe… gruaja e ardhshme.
“Nuk kam qenë në asnjë moment dakord, jam ngritur në ajër prej flokësh dhe kam ngrënë grushte kokës për të mos hapur gojë. Sapo e solli në shtëpi nisa që t’i bërtisja se çfarë po bënte, a ishte në rregull nga trutë, por Mirashi ma ngjeshi me grusht. Unë doja të ikja menjëherë. Mendova aq më mirë që po sjell një femër tjetër në shtëpi, veç të ikja unë nga ai, të divorcohesha. Por Mirashi nuk më la. Më thoshte se isha gruaja e tij dhe ashtu do të isha gjithnjë. Ka qenë një natë e gjatë sherri që ka vijuar për 3 javë me radhë”, deklaron gruaja 25-vjeçare.
Ajo nuk pranon që të japë detaje rreth jetës së përbashkët seksuale gjatë 22 ditëve të bashkëjetesës, por pranon që ka qenë e detyruar të flenë të tre në të njëjtin krevat. Sa i përket 21-vjeçares Dh. Lleshi, Aranisa thotë që edhe ajo ka dashur të largohet, por i është bërë presion nga Mirashi. “Nuk di të them nëse e ka rrëmbyer apo jo, por kur vajza mirditore erdhi në shtëpi, ajo u befasua që Mirashi ishte i martuar me mua dhe kishte vajzë 3 vjeç. I kërkoi që ta kthente në shtëpi, por ai nuk pranoi. Nuk kam ndonjë gjë me atë vajzë, pasi të dyja e kemi pësuar nga Mirashi. Ajo e kapi shpejt situatën dhe nisi të sillej urtë, e mbyti frika. Ndërsa unë nuk duroja dot më dhe i bërtisja Mirashit, ndaj ai më rrihte më tepër mua se sa 21-vjeçaren”.





