TIRANE, 28 shkurt 2013 – Strukturat e krimit ekonomik dhe forcat speciale, “Shqiponjat” kanë zhvilluar pasditen e sotme një operacion për shkatërrimin e një rrjeti që hidhte në treg kartëmonedha false. 

Pas hetimeve 3 mujore, autoritetet kryen sot një kontroll të befasishëm në një banesë në rrugën “Bardhyl”, ku gjetën një sasi të konsiderueshme kartëmonedhash euro false dhe arrestuan në flagrancë shtetasin, Klodjan Ceka, 28 vjeç. Në vijim të operacionit policor u ndaluan dhe tre të rinj të tjerë, përkatësisht: Florian Qatibi, 27 vjeç Besjan Cici, 25 vjeç dhe Stefano Gjonej, 22 vjeç. Ndërkohë një tjetër person, emri i të cili nuk është bërë i ditur nga policia eshte shpallur ne kerkim. 

Policia ka bërë të ditur se janë kontrolluar tre banesa në Tiranë, ku ka gjetur dhe sekuestruar sasi te konsiderueshme kartemonedhash shqiptare dhe euro. 

Sipas burimeve nga grupi hetimor, sasia e kartëmonedhave të falsifikuara të sekuestruara kap vlerën e 30 mijë eurove dhe 2 milion lekë shqiptarë. Policia bën të ditur se prerjet e falsifikuara ishin 50 euro dhe 1000 lekë të reja. 

Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet falsifikatorësh.