TIRANE, 28 shkurt 2013 – Ministria e Brendshme akuzoi sot kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama se është takuar vetëm dy javë më parë me të dyshuarin për vrasjen e kryekomisarit, Dritan Lamaj, duke i premtuar atij se do ta bënte deputet.
Zëdhënësi i MB-së, Leonard Olli tha se Rama ka pirë kafe me Arben Frrokun tek “Dy Kullat”, dy jave më parë, ndërsa deputeti, Sajmir Tahiri ka darkuar menjëherë pas takimit me Ramën deri në 02:30 të mëngjesit.
“Z. Rama, sqaro opinionin publik, përse vetëm dy javë më parë ju takuat të dyshuarin Frroku, dhe a i premtuat se do ta bëni deputet? Përse e fshihni faktin se të nesërmen e takimit tuaj, i dyshuari shkoi në Shkodër dhe filloi hapjen e zyrave elektorale? Z. Rama, sqaro qytetarët shqiptarë, pse pas takimit tuaj me të dyshuarin, zoti Tahiri ka darkuar dhe biseduar me të në një lokal, te dy kullat, në qendër të Tiranës, nga ora 20:30 deri në orën 02:30 të mëngjesit, dhe çfarë është biseduar në atë darkë?”- thuhet në deklaratën e Ministrisë së Brendshme.
Sipas MB-së, Rama përgojon kot foto të bëra para dy vitesh, tani në mes të procesit hetimor, porse qëllimi i tij i vërtetë është prishja e hetimit dhe mbrojtja e të dyshuarit për vrasjen e Kryekomisarit. Nga ana tjetër Olli e akuzoi Ramën për lidhjet e tij me botën e krimit.
“Edhe ky rast, me gjithë përpjekjet e tua të pafund, dëshmon qartazi lidhjet e tua dhe kupolës tënde me krimin, një fakt të cilin nuk mund ta fshehësh dot. Përpjekjet e tua, megjithëse ogurzeza, do të dështojnë. Inkurajimi që ti vazhdimisht i jep krimit është sa i turpshëm, por edhe po aq i pashpresë.”- thekson MB.





