DURRES, 28 shkurt 2013 – Anëtarë të Forumit Rinor të Partisë Demokratike, dega Durrës, kanë protestuar sot në zonën e Currilave ndaj premtimeve të dhëna e të pambajtura të kryebashkiakut Vangjush Dako. Duke ironizuar kryetarin e Bashkisë së Durrësit ata kanë prerë në mënyrë simbolike shiritin e një premtimi të pambajtur, atë të rikualifikimit të plazhit, nga Brylli deri në Currila, projek i cili parashikonte të krijonte një hapësirë prej 126 mijë metra katrorë plazh publik.
Arjan Dedej, përfaqësues i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, ndër të tjera ka nënvizuar se kryebashkiaku Dako nuk ka respektuar kontratën e lidhur me qytetarët për rikualifikimin e kësaj zone turistike.
"Morëm shkas nga punimet e Konventës Kombëtare të Partisë Socialiste, ku kryetari i Bashkise Durrës, Vangjush Dako, përsëriti dhe një herë premtimet e bëra në fushatën e fundit elektorale. Ai premtoi dhe njëherë krijimin e plazheve të reja, premtim që për nga rëndësia qëndron i rradhitur i pari në Kontratën e tij me qytetarët durrsakë përpara zgjedhjeve lokale të vitit 2011. Prandaj ne jemi këtu, për të konstatuar mbajtjen e këtij premtimi nga ana e Dakos, krijimin e plazheve të reja, në një sipërfaqe totale prej 126.000 m2. Vetë Dako, kur prezantoi këtë projekt, tha se kostot financiare do jenë të pranueshme për buxhetin e Bashkise Durrës, pasi do zbatohej një teknologji izraelite. Por asnjeri nga ne nuk kishte menduar se kosto e ulët e realizimit të këtij projekti do ishte një parashikim i mbinatyrshëm i z. Dako. Ai kishte parashikuar që kodra do rrëshqasë nga shirat dhe i gjithë materiali argjilor do përdoret për të krijuar këto plazhe publike”,- tha Dedej.
Më pas të rinjtë e forumit rinor të PD-ës, në mënyrë simbolike, kanë vendosur disa shezllone në rrugë, si për të treguar se ky projekt jo vetëm që nuk është zbatuar nga ana e bashkisë së Durrësit, por situata në këtë zonë turistike po degradon nga dita në ditë. Një nga zonat më të bukura turistike të qytetit po shkatërrohet jo vetëm për shkak të ndërtimeve pa leje, por edhe si pasojë e rrëshqitjes masive të dheut, nga faqet e kodrës si pasojë e fenomenit të erozionit.
Njëri krah i rrugës së Currilave është bllokuar herë pas here duke bërë të pamundur kalimin e automjteve, pasi masive dheu kanë pushtuar rrugën. Në këto vitet e fudnit jo pak herë është dashur ndërhyrja e mjeteve të bashkisë për largimin e dherave dhe hapjen e rrugës. Por problemi është më i rëndë se kaq, pasi nga fenomeni i erozionit rrezikojnë të dëmtohen edhe shumë nga bizneset private të ndërtuara në të dy anët e rrugës që të çon në Currila.
/m.l. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/





