GREQI, 28 shkurt 2013 – Policia greke bën të ditura detaje nga arrestimi i Arben Frrokut dhe dy shoqëruesve të tij në qytetin e Selanikut. 

Sipas komunikatës së policisë, “janë arrestuar dy persona të kërkuar ndërkombëtarisht, pasi njëri prej tyre është identifikuar si autor i vrasjes me dashje të një drejtuesi të Policisë shqiptare. Personi i dytë i arrestuar është duke u ndjekur penalisht për prodhim ilegal, posedim të paligjshëm të armëve e municioneve dhe trafikut të drogës në Shqipëri”. 

Sipas Balkanweb, policia njofton se pas bashkëpunimit mes autoriteteve shqiptare dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Selanikut, janë arrestuar dy shtetas të moshës 44 dhe 31 vjeç, ndaj të cilëve ishin lëshuar fletëarreste për llogari të autoriteteve shqiptare, për krimet e kryera në territorin shqiptar. 

Të arrestuarit, sipas komunikatës, kanë hyrë në territorin grek mbrëmjen e 24 shkurtit dhe orët e para të mëngjesit të datës 25 shkurt 2013, janë zbuluar në një hotel në qendër të qytetit, ku u arrestuan pas një operacioni policor të koordinuar. 

Sipas policisë greke, 44 vjeçari ishte identifikuar si autor i vrasjes së ndodhur në 24 shkurt 2013 të oficerit të lartë të Policisë Shqiptare, ndërsa 31 vjeçari akuzohet për prodhim të paligjshëm, posedim të armëve dhe municioneve dhe trafik të drogës në Shqipëri. 

Nga kontrolli i kryer në shtëpinë e 31 vjeçarit shqiptar në Selanik u gjetën dhe u konfiskuan: (529) gram heroine, 396 gram kokainë, 37 gram kanabis, (1) armë, 1 pushkë snajper, 1 armë automatike, 11 armë gjahu. 

Së bashku me dy të sipërpërmendurit në hotel u arrestua dhe një shqiptar 36 vjeç, në posedim të të cilit u gjet dhe u sekuestrua 2.4 gr kokainë. Ai kishte leje të rregullt nga burgu ku vuan një dënim 8 vjet dhe 6 muaj për drogë.