BULQIZE, 28 shkurt 2013 – Babai i 23-vjeçarit Përparim Bala nuk e pranon se biri i tij i vetëm vrau veten gjatë ndjekjes nga policia në rrugën Elbasan-Librazhd. Ismail Bala deklaron se ai ka dyshime të forta se djali nuk është vetëvrarë, por policia qëlloi mbi Përparimin. Teksa pret e përcjell njerëz të shumtë, të afërm dhe banorë të Bulqizës, Ismaili nuk e përmban veten. Mala, siç e thërrasin në Bulqizë, mohon akuzën që i biri grabiti dyqanin e floririt, ndërsa hedh dyshimet e tij.
“Djali, pasi mbaroi shkollën e mesme këtu në qytet, ishte i papunë. Më ndihmonte ndonjëherë, duke transportuar pasagjerët nga Bulqiza në Qytet të Ri, por të shumtën e kohës ishte i papunë. Nuk pata mundësi t’i gjeja një punë të hajrit. Kohët e fundit ishte në Tiranë, pranë motrës së tij, pedagoge në Fakultetin e Inxhinierisë në Universitetin e Tiranës”- tregon i ati për të përditshmen “Panorama”.
Policia e akuzoi Përparimin si autor të vjedhjes së një dyqani në qendër të qytetit?
Jam i njohur me këtë akuzë, por ajo nuk është aspak e vërtetë. Në momentin e grabitjes së lokalit të Ismet Canit unë kam qenë me furgon në anë të rrugës. Kam parë një person me maskë që hynte e dilte nga lokali i tij, por kurrë nuk besoj se ishte djali im. Kishte krejtësisht tipare të tjera. Pas pak minutash, në vendin e ngjarjes erdhën forca të shumta policie dhe nisën hetimet.
Kur e mësuat lajmin se djali juaj është vetëvrarë në afërsi të Elbasanit?
Pasi bëra disa rrugë mes dy lagjeve të qytetit u ktheva në shtëpi. Po shihja televizor kur me titra shkruhej: Vetëvritet Përparim Bala, i dyshuari për vjedhjen e argjendarisë në Bulqizë. Lajmi më tronditi rëndë. U lidha me disa miq të mi në Tiranë dhe më thanë se djali im kishte humbur jetën.
Ju mendoni se Përparimi është vetëvrarë?
Absolutisht jo. Ai nuk kishte arsye për t’u vetëvrarë. Unë kam dyshime të forta se djalin e ka vrarë Policia e Elbasanit, pasi është informuar nga Policia e Bulqizës. Djali im nuk kishte kryer ndonjë krim. Ai nuk ka qenë fare në vendin e ngjarjes mëngjesin e së martës.
Përse dyshoni se policia e ka eliminuar djalin tuaj?
Dyshoj, sepse prej qershorit të vitit të kaluar djali dhe familja ime jemi vënë në shënjestër nga Policia lokale, Prokuroria dhe Gjykata e Dibrës. Disa djem të Fushë-Bulqizës djalin tim e rrahën dhe e morën peng më 28 qershor 2012, ndërkohë Gjykata e Apelit i la të lirë autorët. Policia e Bulqizës ka dashur të na shfarosë si familje. Këto dyshime nuk më hiqen nga mendja deri në vdekje.





