TIRANË, 28 shkurt 2013– Biznesmeni Arben Frroku, i dyshuari për vrasjen e ish-shefit të Komisariatit numër 6 Dritan Lamaj, mohon se ka gisht në këtë vrasje.
Në një intervistë për televizionin ABC News nga qelia e burgut në Drejtorin e Policisë në Selanik, Frroku pranon konfliktin me të ndjerin Lamaj, por mohon vrasjen e tij mbrëmjen e 24 shkurtit, duke treguar vendin e ndodhjes në atë moment.
Më tej i dyshuari pranon foton dhe drekën me drejtuesit e policisë, që sipas tij nuk ishte, takim i rastësishëm.
Ai pranon miqësitë me titullarët e policisë dhe rrëfen emrat të tjerë politikanësh me të cilët ka njohje.
Në Greqi, ai tregon se është arrestuar në Hotel dhe nuk i janë gjetur drogë dhe armë.
DEKLARATA E ARBEN FRROKUT
Arrestimi ne Selanik
Jam arrestuar rreth orës 3:00 (ora greke) të mëngjesit në Selanik. Kanë qenë gjithë forcat e policisë së Selanikut, forcat speciale me armë të mbushura. Kam qenë në hotel, po flija gjumë, me dy kushërinj të mi. Në momentin e arrestimit nuk kam patur as armë, as kokainë. Unë kam qenë në gjumë, ndërsa Jaku me Sokolin kanë qenë në dhomën tjetër në çastin e ndalimit. Ato janë llafe të policisë së shtetit.
Kalimi i kufirit drejt Greqise
Kam kaluar në Kapshticë me makinën time, me shoferin, sipas gjithë rregullave dhe pas një kontrolli të vogël nga dogana greke, jam nisur direkt për Selanik, rreth orës 7-8 e darkës. Nga Shqipëria u nisa pas një ndeshjeje të futbollit në Laç me Kamzën (jam presidenti i klubit “Tërbuni”). Jam nisur në 4 nga Laci në Tiranë, nga ora 5 jam nisur nga Tirana për në Kapshticë. Nuk kam kaluar nga rruga “Vasil Shanto” por nga “Komuna e Parisit”. Intinerari im mund të gjendet përmes telefonit.Momenti i vrasjes se Lamajt
Kam qenë në doganë duke dorëzuar pasaportat, kur më njoftoi vëllai se më kërkon policia shqiptare, pasi është bërë një vrasje në Tiranë. “Unë nuk kam përgjegjësi, por po iki se kam një punë gjyqi në Selanik”, i thashë.
Raporti me Lamajn
Kam patur konflikt me Dritan Lamajn, por çështjet janë në prokurori. Secili ka dokumentacionin dhe dëshmitarët e vet. Nuk e kam kërcënuar fare. Nuk kam patur asnjë lloj kontakti, përveç kur më bëri ndalimin në komisariat dhe është e vërtetë se më keqtrajtuan në atë kohë. Rreth 7 muaj më parë nisi konflikti, se më ndaluan me urdhër të tij. Më akuzuan për mosbindje të forcave të rendit, që nuk është e vërtetë. Më pas bëri arrestimin e fundit. Jam keqtrajtuar nga vetë shefi i komisariatit.
Fotot me drejtues te policise
Fotot nuk kanë qenë rastësi, i kam miq, i kam të gjithë të njohur. Më njohin gjithë politika dhe biznesi shqiptar, nuk jam person i rastësishëm. Nuk e mbaj mend kohën kur është bërë kjo foto, ka ca kohë. Unë i njoh të gjithë, ata më njohin të gjithë shumë mirë. Për vdekjen e vëllait të Tonin Vocit kam qenë në varrim dhe kam pirë kafe.
Per vrasjen
Ngushëlloj familjarët e Lamaj, por nuk kam asnjë lidhje me vrasjen e tij. Në kohën e vrasjes kam qenë drejt për doganën e Kapshticës. Jam duke e ndjekur me anë ligjore zotin Lamaj, i ndrittë shpirti aty ku është, dhe kam gjithë dokumentacionin. Ia lemë drejtësisë, ligjit dhe hetimeve. Do vij në Shqipëri e do përballem me ligjin. Nuk iki nga pronat dhe tokat e mia. Pafajësinë time e kam të provuar, kam dëshmi më të forta se ata që më akuzojnë mua.





