Presidenti i FIFA-s Sepp Blatter dhe Fadil Vokrri president i Federatës së Futbollit Kosovar.
PRISHTINË, 28 shkurt 2013 – Presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, i ka nisur një letër të mërkurën kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe Federatës së Futbollit të Kosovës.
Në letër Sepp Blatter-i ka njoftuar Thaçin se ka marrë letrën e tij dhe se kërkesa e FFK-së është në rend të ditës për mbledhjen e radhës së Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s, që mbahet më 22 mars, ka bërë të ditur nënkryetari i FFK-së, Bekim Haxhiu.
“Sot kemi pranuar letrën e Blatter-it. Presidenti i FIFA-s ka njoftuar se ka pranuar letrën e kryeministrit Thaçi dhe se kërkesa jonë do të jetë në rend të ditës në mbledhjen e radhës së Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s. Ne shpresojmë në lajme të mira nga ajo mbledhje”, ka thënë Haxhiu, i cituar nga e përditshmja “Koha Ditore” e Prishtinës.
/th.m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





