TIRANE, 27 shkurt 2013– Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, ka dhënë detaje rreth fotos së publikuar ku shfaqet i dyshuari për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj me drejtues të lartë të Policisë së Shtetit. 

Në një intervistë telefonike për Top Channel, Burgaj jep shpjegimet lidhur me këtë foto, vazhdimësinë e hetimeve pas dorëheqjes së  Tonin Vocajt dhe Agron Kuliçaj nga kjo çështje si dhe kërcënimet që ka marrë nënkomisari i komisariatit nr.6 në Tiranë.

Zoti Burgaj, keni dijeni kur është bërë kjo foto?

Siç më informuan kolegët, kjo foto ka rreth 2 vite që është bërë, që e kanë kërkuar në një drekë të këtyre shokëve.

Keni dijeni nëse drejtuesit e policisë në foto kanë marrëdhënie me shtetasin Arben Frroku?

Nuk do ta quaja të rëndësishme këtë pjesë, edhe sikur ndonjë nga kolegët të ketë njohje me të dyshuarin. Në momentet e njohjes ai nuk ka pasur preçedentë me policinë. Në kushtet që jemi sot, ne kryejmë detyrën dhe zbatojmë ligjin deri në zbardhjen e ngjarjes. Nuk do ketë asnjë ndikim.

Me kë do zvëvendësohen drejtuesit e policisë pas dorëheqejs së tyre nga hetimi mbi vrasjen e Lamaj? 
Policia e Shtetit nuk vuan nga mungesat, ajo ka rreth 10 mijë vetë, ka ekspertë dhe oficerë të policisë gjyqësore që këtë çështje do ta çojnë deri në fund. Veprimi i zotit Kulicaj dhe zotit Vocaj është çështje e tyre, kështu e perceptojnë ata para opinionit publik. Ata kanë punuar me intensitet për zbardhjen e ngjarjes dhe nuk kanë patur asnjë lloj ndikimi të këtyre natyrave që përfliten. Megjithatë, është një vendim personal që unë e miratoj. 

A keni qenë në dijeni të kërcënimeve me jetë që ka patur kryekomisar Lamaj? 

Veç konfliktit të hapur mediatik, nuk ka absolutisht asnjë shkresë zyrtare e asnjë kërkesë të tij për takim me mua apo vartësit e mi për këtë çështje. 

Edhe zëvendësshefi i komisariatit numër 6 është kërcënuar, cili është pozicioni juaj për këtë? 
Janë çështje në hetim dhe nuk është komode për mua të bëj komente. 

A është kërcënuar zoti Arapi?

Ka patur një mesazh që po hetohet. Nuk komentoj asgjë më shumë. Çështjet do shkojnë deri në fund. 

A do merret në mbrojtje zoti Arapi?

Deri tani kemi zbatuar të gjitha proçedurat ligjore.