DURRES, 27 shkurt 2013 – Teutën e pret një ndeshje shumë e rëndësishme në fundjavë. Durrsakët këtë radhë do të kenë një kundërshtar mjaft të fortë dhe një armik të përjetshëm siç është Besa. Në prag të kësaj sfide në kampin durrsak janë të bindur se do ta kalojnë pa problem ekipin “verdhezi”, gjithsesi ata kanë paralajmëruar kujdes.

Në një prononcim për Agjencinë e Lajmeve “Dyrrah”, mbrojtësi i djathtë i Teutës, vlonjati Artan Sakaj, u shpreh se skuadra është gati për t’u përballur me Besën, ndërsa kërkoi impenjim maksimal prej shokëve të tij.

“Përpara na pret një ndeshje shumë e vështirë dhe njëkohësisht mjaft e rëndësishme për ecurinë e skuadrës. Përballë kemi Besën, një kundërshtar mjaft i fortë, ndonëse kohët e fundit nuk po kalon momente të mira në kampionat. Përballja Teuta-Besa gjithmonë ka patur një rivalitet shumë të madh në fushë dhe besoj se e njëjta gjë do të përsëritet edhe të shtunën gjatë sfidës. Për ne është mjaft e rëndësishme ta fitojmë këtë përballje, pasi në të kundërt skuadra do të përballej me një “rënie të lirë” në klasifikim dhe kjo do të ishte e papranueshme. Kemi punuar intensivisht për të arritur deri këtu dhe do të ishte mëkat nëse do të dorëzohemi tani. Duhet të fitojmë të shtunën dhe të hedhim një hap tjetër të rëndësishëm drejt objektivit tonë”,- u shpreh mbrojtësi.

Sipas Sakaj, kavajasit po kalojnë momente të vështira, pasi kanë patur një ecuri negative deri më tani, por ngelen një nga skuadrat më të vështira të kampionatit për t’u mundur. Sipas vlonjatit, Teuta i ka të gjitha mundësitë për të shkëlqyer ndaj Besës, sepse vjen më e favorizuar në këtë ndeshje.

“Mendoj se është një nga ndeshjet më delikate, ku duhet patjetër që të fitojmë. Teuta nuk i trembet asnjë kundërshtari, por duhet patur shumë kujdes, sepse gabimi më i vogël gjatë kësaj sfide kushton shumë. Për këtë fakt them se skuadra është nën presion, por unë kam besim se do t’ia dalim sërish. Jemi koshient që nuk do të jetë e lehtë, pasi përpara kemi kundërshtarin historik të skuadrës dhe jo më kot është cilësuar si derbi i Shqipërisë së mesme përballja Teuta-Besa”,- përfundoi Sakaj, i cili erdhi gjatë merkatos së verës në kampin durrsak. 

/m.l. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/