TIRANE, 27 shkurt 2013 – Zbulohet miqësia e Arben Frrokut me drejtues të lartë të Policisë së Shtetit. Në disa foto të publikuara në rrjetin social Facebook Arben Frroku shfaqet gjatë një darke miqësore me krerë të Policisë së Shtetit. 

Fotot i përkasin prillit të vitit 2011 dhe në to shfaqen Agron Kuliçaj, Tonin Vocaj, Nikolin Bala, drejtor i Sektorit Operacional të Policisë së Shtetit, Mehmet Rrumbullaku, drejtor i Sigurisë Publike, Arben Frroku dhe pronari i lokalit ku gjenden duke ngrënë këta persona.

Këto foto gjenden në faqen e Facebook të z.Vocaj dhe ilustrimi i fotove saktëson se ato janë bërë tek lokali i shtetasit J.M, që gjendet rrugës për në malin e Dajtit.

Ndërkohë, Agron Kuliçaj zv/Drejtor i Policisë së Shtetit dhe Tonin Vocaj, drejtor i drejtorisë së Hetimit të Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit, që të dy pjesë e grupit hetimor për zbardhjen e vrasjes së Lamaj, kanë deklaruar dorëheqjen nga grupi hetimor që ata drejtonin deri pak minuta më parë.

Lajmin e pohoi drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, i cili pohoi Kuliçaj dhe Vocaj kanë dhënë dorëheqjen nga hetimi i vrasjes së Dritan Lamaj, kurse shtoi se ata do të vazhdojnë në detyrat zyrtare që kanë.

Nga ana tjetër Burgaj shtoi se zyrtarë të tjerë të Policisë së Shtetit do të vendosen në krye të hetimit të vrasjes së komisarit Lamaj.