TIRANE, 27 shkurt 2013 – Pasi gjykata e Krimeve të Rënda dha një ditë më parë masën e sigurisë me burg për Arben Frrokun, të dyshuarin kryesor për vrasjen e kryekomisarit, Dritan Lamaj, Interpoli është urdhëruar të nisë procedurat për ekstradimin e tij nga Greqia.
Biznesmeni shqiptar u arrestua dy ditë pas vrasjes së komisarit Lamaj në qytetin e Selanikut në Greqi.
Policia e Shtetit tha se të dyshuarit Arben Frroku dhe miku i tij Jak Jaku u kapën në ambientet e një hoteli pranë qendrës së Selanikut mëngjesin e djeshëm nga pala greke. Tashmë duket se shteti shqiptar do të nisë procedurat për ekstradimin e Frrokut, emri i të cilit u lakua menjëherë pas vrasjes së Lamajt, pasi biznesmeni ishte konfliktuar disa herë gjatë vitit të kaluar me komisarin e policisë, gjatë kohës kur ai drejtonte Komisariatin nr.6 në Tiranë.
Ndërkohë një ditë më parë, djali i biznesmenit Arben Frroku iu drejtua mediave me një letër, ku deklaronte se pretendimet e policisë se i jati i tij është vrasësi i 41 vjeçarit Lamaj binin poshtë nga pamjet filmike që dispononte familja Frroku. Ndërkohë policia nga ana e saj ka deklaruar se pikërisht Arben Frroku është i dyshuari kryesor për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj.
/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/





