TIRANE, 27 shkurt 2013– Kryeministri Sali Berisha i ka kërkuar sot ministrit të brendshëm, Flamur Noka që të merren të gjitha masat e nevojshme për akomodimin e familjeve që mbetën në mes të katër rrugëve pas prishjes së shtëpive të tyre. Berisha ka kërkuar që familjet e fshatit Ngracie, në Fier të strehohen në hotele dhe kushte të mira jetese derisa të gjendet një zgjidhje afatgjatë për akomodimin e tyre përfundimtar.

Në të njëjtën kohë Berisha ka thënë se duhet menduar për t’i dhënë zgjidhje problematikave të krijuara në këtë fshat si pasojë e rrëshqitjes së tokës.

Një lagje kodrinore në fshatin Ngracie të komunës Qendër në Mallakastër thuajse është “zhdukur” brenda pak orëve gjatë mbrëmjes së të hënës. Për shkak të rrëshqitjes së kodrës, 12 banesa u shembën, ndërsa rreth 48 të tjera janë të pabanueshme dhe në prag shembjeje.

Ndërkohë shembja masive e dheut shkaktoi dëmtime të shumta në infrastrukturën rrugore duke izoluar banorët e këtij fshati nga pjesa tjetër e komunës. Për të parë nga afër situatën e krijuar në këtë fshat dhe për të ofruar zgjidhje konkrete për banorët e kësaj zone, dje, dy ministrat Noka dhe Olldashi inspektuan situatën në terren dhe dhanë udhëzimet përkatëse për normalizimin e gjendjes.  

/m.b. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/