ITALI, 27 shkurt 2013 – Trajneri i Italisë, Çezare Prandelli, është i lumtur që në skuadrën kombëtare do ta ketë Mario Balotellin e ‘rilindur’.
Në fakt, që pas transferimit nga Mançester Siti në Milan, sulmuesi italian me origjinë ganeze ka lulëzuar sërish në aspektin e futbollit. Që nga ardhja në “San Siro” Balotelli ka shënuar katër gola.
“Sërish po e shoh Balotellin e madh. Ai ka rilindur prejse është kthyer në Itali dhe është bashkuar sërish me familjen e tij”, ka theksuar Prandelli. Përzgjedhësin italian e gëzon fakti që në të njëjtin klub luajnë sulmuesit, të cilët e përfaqësojnë të ardhmen e kombëtares që e udhëheq. El Sharavi dhe Balotelli ka pak kohë që kanë filluar të luajnë së bashku te Milani, por tashmë po japin sinjale të një bashkëpunimi të përkryer.
“Si trajner i kombëtares vetëm mund ta shpreh kënaqësinë time për faktin që Balotelli dhe El Sharavi luajnë së bashku. Mendoj se ata mund të funksionojnë shkëlqyeshëm së bashku në sulm”, ka shtuar Prandelli.