DURRES, 27 shkurt 2013 – Efektivët e policisë së komisariatit të Durrësit kanë ndaluar mbrëmjen e së martës një shtetas nga Gjirokastra që po transportonte 10 kg lëndë narkotike kanabis sativa.
Burime policore bëjnë të ditur se 40 vjeçari Artist Metaj është ndaluar nga një postobllok policie në afërsi të Urës së Dajlanit. Nervozizmi i treguar nga 40 vjeçari gjatë kontrollit të policisë i ka shtyrë forcat e rendit të kontrollojnë imtësisht automjetin e Metajt brenda të cilit janë gjetur 10 kg kanabis sativa të ndarë në 10 pako.
Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale sasinë e drogës së kapur në makinë si dhe automjetin tip Ford me targa AA 942 CK, me të cilën Metaj po transportonte sasinë e kanabisit.
Burime nga komisariati i Durrësit bëjnë të ditur se po punohet për të zbuluar persona të tjerë që mund t’i kenë siguruar 40 vjeçarit Metaj lëndën narkotike. Ndërkohë materialet në ngarkim të shtetasit nga Gjirokastra i kaluan për ndjekje të mëtejshme prokurorisë së Durrësit.
/m.l. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/





