AUSTRI, 26 shkurt 2013 – Pak orë përpara premierës botërore të filmit “3096 ditë” që flet për jetën e austriakes Natasha Kampush, që u grabit në fëmijëri nga Volfgang Priklopil dhe u mbajt në një bodrum për tetë vite, vjen një deklaratë bombë nga babai i saj.

Ludvig Koch deklaron se gjithë historia e bodrumit është një mashtrim. Këto deklarata ai i ka bërë për gazetarin britanik Allan Hall, që ka shkruar librin “Kërkimi i babait të Natasha Kampush”.

“E vërteta qëndron mes Natashës dhe meje. Ajo e ka bllokuar marrëdhënien tonë. Unë flas sepse e dua atë dhe dua që ta kthej tek unë”.

Natasha Kampush nuk ka marrëdhënie të mirë me prindërit. Për babain ajo thotë se është i papjekur. Ajo shton se prindërit e saj nuk ishin gati për lindjen e saj.

Në libër ka detaje për marrëdhënien e Natashës me rrëmbyesin e saj, që fillimisht e quante kriminel, por më pas rrëzohej duke qarë mbi arkivolin e tij. Historia komplikohet shumë, sidomos pas vdekjes së detektivit që po hetonte për këtë ngjarje dhe që dinte shumë gjëra të fshehta.

Ka pasur shpesh spekulime se ajo jetonte me dëshirën e saj tek Priklopil, madje thuhej se dilnin lirshëm dhe se ajo kishte mundësi të arratisej, por nuk e kishte bërë këtë gjë. Fakt është që Kampush ka fituar miliona euro nga librat, intervistat dhe filmi.