ITALI, 26 shkurt 2013 – Një godinë që ishte ende në fazën e ndërtimit ishte kthyer në një vendstrehim për të fshehur drogën. Karabinierët e kuesturës së Romës kanë ndërhyrë mbrëmë në ndërtesë dhe kanë arrestuar tre shqiptarë, të cilët akuzohen për posedim dhe shpërndarje lëndësh narkotike. Lajmin për operacionin në fjalë e njofton kuestura e Romës në faqen e saj në Facebook.

Sipas kuesturës së kryeqytetit italian, hetimi mbi një rrjet shpërndarje droge vijonte prej mëse 1 muaji. Mbrëmjen e së hënës karabinierët kanë ndaluar për kontroll një automjet në të cilin ishin tre shtetas shqiptarë. Njëri prej shqiptarëve dispononte çelësat e godinës, pas marrjes së të cilave policia ka ushtruar kontroll në ndarjet e saj. Në një nga dhomat, në një dollap, janë gjetur 2.9 kg marijuanë dhe rreth 100 gram kakoinë. Në të njëjtën kohë është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me një karikator me 9 fishekë, të cilën shqiptarët e mbanin pa leje.

Policia njofton se në pranga kanë përfunduar të rinjtë shqiptarë me iniciale L.E., L.R. e L.A., përkatësisht 23, 27 e 29 vjeç. Gjithashtu policia ka sekuestruar edhe një makineri që përdorej për paketimin e lëndës narkotike. 

/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/