TIRANË, 26 shkurt 2013  Një tjetër ngjarje e rëndë ka tronditur kryeqytetin pasditen e sotme. Një 24-vjeçar ka humbur jetën pasi është therur me thikë nga një i ri vetëm 17 vjeç.

Ngjarja e rëndë është regjistruar pasditen e sotme në zonën periferike të Kamzës, ndërkohë që mësohet se viktima është Elson Fjerza. Menjëherë forca të shumta të Komisariatit numër 5, janë vënë në ndjekje të autorit Emiliano Dautlliu, 17 vjeç duke e vënë në pranga. 

Burime nga policia bëjnë me dije se viktima Elson Fjerza është nga Fushë Kruja, ndërkohë që kanë nisur hetimet për zbardhjen e krimit.

Pas arrestimit, adoleshenti ka rrëfyer në polici se sherri me 24-vjecarin, të cilin e kishte dhe komshi ka ndodhur pasi ai i kishte ngacmuar motrën. Viktima me origjinë nga Fushë Kruja, jetonte në zonën 3 tek shinat e trenit në Tiranë. Nga hetimet paraprake mësohet se autori i krimit njihet si shtetas me precendentë penal për policinë, pasi pak kohë më parë mbi të rëndonte akuza e vjedhjes.

Kjo është vrasje e tretë në Tiranë brenda 4 ditëve të fundit. Rasti i parë ishte ai i datës 23 shkurt kur një 22 vjeçar u ther me thikë nga një 33 vjeçar në një nga autobuzat e linjës, i pasuar nga vrasja me 24 shkurt e komisarit të policisë Dritan Lamaj.