ELBASAN, 26 shkurt 2013 – Një 23 vjeçar ka preferuar më mirë t’i jepte fund jetës sesa të dorëzohej pranë efektivëve të rendit që e kishin rrethuar. Ngjarja e rëndë është regjistruar këtë pasdite në aksin Elbasan-Librazhd. Sipas policisë 23 vjeçari dyshohej se kishte vjedhur në argjendari në Bulqizë, gjatë ditës së sotme.

Të njëjtat burime thonë se Përparim Bala ishte duke udhëtuar me një furgon të linjës Elbasan-Përrenjas, por pasi vuri re që policia i ishte vënë në ndjekje furgonit, 23-vjeçari zbriti nga ky automjet dhe grabiti një tjetër makinë me të cilën tentoi arratinë. Thirrjeve për dorëzim të policisë Bala i është kundërpërgjigjur me armë.

Pas ndjekjes me makinë për disa kilometra, i riu, mesa duket është gjetur pa rrugëdalje dhe ka vendosur t’i japë fund jetës me po të njëjtën armë që kishte qëlluar ndaj policisë. Policia konfirmon se Bala ka qëlluar veten ndërsa kishte ndaluar me automjetin me të cilin po arratisej në afërsi të fshatit Mengel.

Pak ditë më parë një tjetër person refuzoi t’i dorëzohej policisë dhe i dha fund jetës duke prerë fytin me thikë. Autori i vrasjes së vjehrrës dhe vjehrrit në Kuçovë, Riza Latifi vrau veten në shtëpi pasi ishte rrethuar nga policia dhe nuk pranoi të dorëzohej.  

/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/