DURRES, 26 shkurt 2013– Prokurori i Durrësit, Altin Binaj, është larguar nga detyra dhe në vend të tij është emëruar Besim Hajdarmataj, i cili mbante më parë detyrën e prokurorit të Kurbinit.

Vendimi për lëvizjen e prokurorëve është firmosur nga kreu i akuzës Adriatik Llalla. Përveç Durrësit lëvizje janë bërë dhe në prokurorinë e Kavajës ku në vend të prokurorit Durim Bedini është emëruar prokurori Besnik Muci. Ndërkohë në vendin e lënë bosh nga Besim Hajdarmataj në Kurbin është emëruar Arben Nika. 

Prokurori i Durrësit Altin Binaj, u emërua në këtë post pas propozimit të ish kryeprokurores Ina Rama dhe dekretimit nga ish presidenti Bamir Topi në muajin mars të vitit 2010. Binaj u zgjodh në muajin prill të vitit të kaluar anëtar i Këshillit të Prokurorisë, një organ ky me rol këshillimor që ndodhet pranë zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm. Para se të vinte prokuror në Durrës, Binaj ka drejtuar prokurorinë e Fierit.

Ndërkohë kreu i ri i akuzës në Durrës Besim Hajdarmataj, ka drejtuar prej disa vitesh prokurorinë e rrethit verior. 

/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/