MALLAKASTËR, 26 shkurt 2013 – Rrëshqitjet e tokës në Mallakastër kanë shkaktuar shembjen e 11 banesave në në fshatin Ngracie të komunës Qendër në Mallakastër. Situata në këtë komunë është vështirësuar edhe më tepër pas shembjes së rrugës që lidh fshatin Ngracie me pjesën tjetër të komunës duke i izoluar familjet që jetojnë aty. Rrëshqitjet kanë ndodhur gjatë natës dhe banorët i kanë braktisur shtëpitë për të mos rrezikuar jetën e tyre.

Për të parë nga afër situatën në këtë fshat kanë qenë sot aty my ministra të kabinetit Berisha, ministri i brendshëm, Flamur Noka dhe ai i punëve publike Sokol Olldashi. Në fshat kanë mbërritur shumë forca policie dhe përfaqësues të Shtabit të Emergjencave dhe pushtetit vendor, ndërkohë që banorët e mbetur pa shtëpi janë akomoduar përkohësisht në një hotel.

Sipas ministrit Noka, situata është problematike dhe banorët e këtyre banesave duhet të largohen, pasi terreni nuk garanton siguri dhe mund të ketë rrëshqitje të mëtejshme. Ai kërkoi ngritjen e një komisioni për të bërë verifikimin e dëmeve, pasi shtëpitë janë bërë të pabanueshme, ndërkohë që nevojiten ndërhyrje edhe në insfrastrukturën rrugore.

Ndërkohë ministri Olldashi deklaroi se "rrëshqitja e dherave vazhdon ende dhe kjo zonë është e pabanueshme ndaj dhe banorët duhet të shpërngulen në një zonë të sigurtë. Situata ishte kritike dhe mund të shkaktonte viktima dhe dëme shumë më të mëdha. ne do të gjejmë një zgjidhje në kohë sa më të shpejtë për të sistemuar gjithë këta banorë.