Sfidat e krizës në eurozonë, ndryshimet që ajo po nxit në Evropë me pasojat ndaj ekonomive të vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë ndikuar në pritshmëritë e popujve të këtij rajoni lidhur me procesin e integrimit evropian.
Gledis Gjipali, drejtor i “European Movement Albania”, organizata e shoqërisë civile, me seli në Tiranë thotë për DW: "Ka një rënie të mbështetjes së integrimit evropian nga qytetarët e vendeve në Ballkanin Perëndimor. Ka një zbehje të entuziazmit. Kjo për shkak të ngecjes së procesit, kohës së gjatë nga fillimi i tij apo rrugës së gjatë që parashikohet deri në integrimin në BE. Ndërkohë që paraqitja e tij prej politikanëve vendas të vendeve të Ballkanit Perëndimor si një proces që po ecën me shpejtësi ka shkaktuar zhgënjim tek qytetarët. Prandaj është e nevojshme për një rivitalizim të procesit nga vetë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe më pas mbështetje nga BE me politika më të zhdërvjellëta të zgjerimit."
Investim thelbësor për sigurinë dhe prosperitetin e Evropës
Politikanë të vendeve anëtare të BE-së dhe zyrtarë të Komisionit Evropian janë në një linjë kur rikonfirmojnë mbështetjen e BE-së ndaj procesit integrues evropian të Ballknait Perëndimor. Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westewelle, që ditët e fundit zhvilloi një vizitë dyditore në Shqipëri dhe në Maqedoni, deklaroi në Tiranë se "Gjermania është për perspektivën evropiane të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe i mbështet përpjekjet e tyre."
Në konferencën "Talking on Europe" organizuar së fundi në Tiranë, nga Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare, ambasadori britanik në Shqipëri, Nicolas Canon, e cilësoi zgjerimin "një investim thelbësor për sigurinë dhe prosperitetin e Evropës, në një kohë kur BE-ja ballafaqohet me sfida të mëdha. BE e ka bërë të qartë, ndërkohë, se progresi në këtë proces do të bëhet sipas meritave të secilit vend dhe në bazë të plotësimit nga fillimi deri në fund, të kritereve të ashpra."
BE – Jo qasje formaliste ndaj plotësimit të kritereve
Progresi i Shqipërisë në procesin e integrimit evropian duket i ngecur pas refuzimit për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim tri herë radhazi. Brukseli ka këmbëngulur që të miratohen ligjet për Gjykatën e Lartë, Shërbimin Civil dhe reformën e procedurës parlamentare, që lidhen me zbatimin e shtetit ligjor dhe pavarësinë e drejtësisë. Sipas Komisionit Evropian miratimi i "tre ligjeve" do t' i krijonte një shans të ri Shqipërisë për të shqyrtuar po sivjet, pas zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit, aplikimin e saj për këtë status. Por palët nuk kanë gjetur konsensus mes tyre dhe opozita nuk i voton ato.
Albert Rakipi, Drejtor i Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombëtare, mendon se "kjo është një qasje formaliste e BE-së dhe e delegacionit të Komisionit Evropian. Brukseli duhet të përqendrohet jo tek miratimi, por tek zbatim i ligjeve që mbetet problematik dhe shumë larg nga ajo që kërkon standardi evropian." Ministri i jashtëm gjerman Guido Westewelle tha në Tiranë lidhur me kriteret e vendosura nga BE se "për to nuk mund të bëhet asnjë lëshim, por as nuk do ketë vështirësim artificial".
Gledis Giipali nga “Europian Movement Albanian” mendon se këmbëngulja e Brukselit për miratimin e 'tre ligjeve' shërben si një "nxitje për politikën shqiptare për të arritur konsensus, duke pasur parasysh se sa pak është bërë për plotësimin e kritereve dhe marrjen e statusit kandidat të BE-së, që nga aplikimi i dorëzuar në pranverë të 2009. Komisioni Evropian dhe vendet anëtare të BE-së e kanë ritheksuar shumë herë që Shqipëria duhet të paraqesë rezultate konkrete në fushat e kërkuara që fillojnë me miratimin e legjislacionit të duhur por nuk mbarojnë veç me të."
Sa vetëdije ka në Shqipëri për plotësimin rigoroz të kritereve?
Procesi i integrimit nuk është vetëm në duar të politikanëve por edhe të qytetarëve dhe shoqërisë civile. Sa të vetëdijshëm janë qytetarët në Shqipëri për rolin që ata mund të luajnë? "Qytetarët shqiptarë nuk janë të informuar sa duhet për procesin e integrimit Evropian dhe nuk i bëjnë presion drejtuesve politikë për të krijuar mjedisin për plotësim rigoroz të kritereve. Politika shqiptare e përdor procesin e integrimit si pjesë të përplasjeve politike, që nuk kanë të bëjnë me integrimin evropian duke e zhvlerësuar publikisht vlerën e procesit. Qytetarët në pjesën më të madhe e konsiderojnë këtë një proces burokratik që i takon politikanëve. Një pjesë e tyre janë indiferentë dhe nuk ushtrojnë presionin e duhur publik ndaj vendimmarrësve për të ecur përpara në procesin e integrimit. Politikanët abuzojnë duke përmendur gjithmonë përqindjen e lartë të popullsisë që është pro anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe anashkalojnë përgjegjësitë që ata vetë kanë për ta përmbushur këtë dëshirë", thotë për DW, Gledis Gjipali.
Zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit përbëjnë një nga kriteret rigoroze, ku BE po fokusohet lidhur me progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian. Kriteri rigoroz i BE-së është që ato të cilësohen demokratike, të lira, të ndershme dhe të pakontestuara nga pala humbëse. Ligji Zgjedhor i reformuar, me të cilin do të kryhen zgjedhjet është i standardeve evropiane. Mbetet për t'u parë zbatim i tij në praktikë, ku Shqipëria mbetet problematike. /DW/