DURRES, 26 shkurt 2013- Arrestohet nga policia e Durrësit autori i vjedhjes së makinës e cila është përdorur në vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj në Tiranë.
Ditën e sotme, policia e qytetit bregdetar ka vënë në pranga shtetasin Gentian Bejtja, banues në Fushë Krujë, person me precedentë të mëparshëm penalë.
Ky shtetas, sipas policisë, akuzohet se ditën e shtunë, në mbrëmje, ka vjedhur makinën tip BMVV me targa DR 1944 F.
Kjo makinë rezultoi se është përdorur në vrasjen e kryekomisarit të policisë mbrëmjen e të dielës në zonën e rrugës Vasil Shanto në Tiranë.
Me datë 23 shkurt, rreth orës 20.00, në bashkëpunim me një person të dytë për të cilin po vijon puna për identifikimin e tij, kanë vjedhur automjetin e markës BMV me targa DR 1944 F, pronë e 55-vjecarit F.L. në lagjen Nr.8 të qytetit, në kohën kur ky i fundit e kishte lënë mjetin të ndezur dhe me çelësa në kuadër para banesës së tij.
Identifikimi dhe kapja e këtij shtetasi vjen në vijim të ndalimit dje të anëtarit të tretë të grupit të vjedhjes së automjeteve në zonën e plazhit, 33-vjecarit Afrim Xhixha, banor i Komunës Nikël, shtetas me precedentë të mëparshëm penalë në drejtim të shkatërrimit të pronës me eksploziv dhe mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake.
Këtij grupi i atribuohet vjedhja e të paktën 10 automjeteve të kushtueshme për nga marka apo kapaciteti, kryesisht duke përdorur teknikën e vjedhjes së autoveturave të ndezura.





