DURRES, 25 shkurt 2013 – Teuta nuk mundi të merrte maksimumin nga transferta në Tiranë, por durrsakët premtojnë për autokritikë ndaj Besës. Sulmuesi i Teutës, Bledar Mancaku, e ka konsideruar si rezultat pozitiv barazimin e arritur ndaj Tiranës, ndërsa u ka bërë thirrje shokëve të tij, të mendojnë seriozisht për Besën.
Sipas Mancakut, Teuta kishte mundësi të dilte me tre pikë nga “Qemal Stafa”, por ishte një gabim, ai që e ndëshkoi dhe i mundësoi Abilalilaj të shënonte golin e barazimit.
“Besoj se morëm çka merituam nga kjo ndeshje. I kishim mundësitë për të dalë nga “Qemal Safa” me tre pikë, por gabuam në një moment të vetëm, në rastin e golit dhe kështu nuk mundëm të menaxhonim avantazhin. Gjithsesi, skuadra luajti një ndeshje mjaft të mirë, ku përqëndrimi i të gjithëve ishte maksimal, kjo edhe për shkak të rëndësisë që kishte kjo përballje. Personalisht mendoj se kemi marrë një rezultat pozitiv dhe tashmë s’na ngelet gjë tjetër veçse të përgatitemi për të fituar ndeshjen e radhës”,- pohoi fillimisht Mancaku.
Sulmusi tha se Teuta do të rikthehet menjëherë tek fitorja, duke filluar që nga ndeshja me Besën.
“Duhet të vijojmë te marrim rezultate pozitive, por njëkohësisht duhet të evitojmë sa më shumë barazimet. Vëmëndja jonë tashmë është përqëndruar tek kundërshtari i radhës, ndaj së cilit do të kërkojmë vetëm fitore. Momentalisht Besa nuk po kalon momente të mira, por ngelet një nga skuadrat më të vështira për t’u mundur. Gjithsesi, jemi të motovuar dhe kemi besim se do të fitojmë ndaj tyre.
/m.l. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/





