TIRANË, 25 shkurt 2013– Kanë përfunduar homazhet në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë ku ishte vendosur trupi i pajetë i kryekomisarit Dritan Lamaj. Ky i fundit u vra mbrëmjen e kaluar nga persona të panjohur në afërsi të shtëpisë së tij pranë shkollës “Vasil Shanto”. Policia e kryeqytetit ende nuk ka konstatuar persona të dyshuar por vetëm ka pohuar se vrasja është kryer për motive që lidhen me funksionin e drejtuesit të policisë.

Në homazhet e mbajtura në orët e mesditës nderuan figurat kryesore të shtetit dhe të politikës mes të cilëve kryeministri Sali Berisha, ministri i brendshëm Flamur Noka, kreu i opozitës Edi Rama, kryetar i Partisë Fryma e Re Demokratike Bamir Topi dhe personalitete të tjera.

Trupi i pajetë i Lamajt u përcoll drejt varrezave ku do të prehet përgjithmonë ndërsa qeveria ka njoftuar dhënien e statusit dëshmor i atdheut.

Berisha: Akt barbar! Do të bëjmë ligjin në të katër anët e vendit

Kryeministri Sali Berisha kreu homazhe pranë trupit të pajetë të kryekomisarit Dritan Lamaj i cili u ekzekutua një natë më parë në Tiranë nga persona të panjohur. Pas homazheve, Berisha deklaroi se shpreh ngushëllimet më të sinqerta, nderimin tim më të madh për rënien në detyrë të komisarit Dritan Lamaj.

“Njëri nga oficerët, komisarët e shquar të Policisë së Shtetit shqiptar. Ky akt kriminal, ky akt barbar do të marrë të gjithë ndëshkimin e merituar ligjor. Qeveria do të mobilizojë çdo burim, çdo mundësi që autorët e këtij akti të shëmtuar të përballen me drejtësinë dhe të gjithë rreptësinë e ligjit shqiptar. Edhe njëherë shpreh mbështetjen e plotë të qeverisë për forcat e rendit publik”, u shpreh kryeministri.

Ai garantoi qytetarët se krimi nuk do mundet kurrë të mposhtë vullnetin e tyre për të bërë ligjin në të katër anët e këtij vendi. “Ngushëllimet më të thella familjes, miqve, të afërmëve dhe të gjithë efektivëve të policisë së shtetit”, shtoi Berisha.

Rama: Gjendja e patolerueshme, fajtorët kanë emra

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama bëri homazhe pak minuta përpara në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë ku ndodhej arkivoli i kryekomisarit Dritan Lamaj. Në prononcimin për median pas homazheve Rama tha se policia është e tradhtuar, po rrënohet dita ditës. “Përkushtimi e heroizmi i gjithë shqiptarëve të ndershëm që me uniformën e policit bëjnë gjithçka munden për ti shërbyer shtetit dhe qytetarëve është i pamjaftueshëm nëse nuk mbështetet nga një qeveri dhe një shtet që është i vetdijshëm për çka duhet të bëjë dhe respekton kushtetutën, ligjin, liritë dhe të drejtat e qytetarëve”, u shpreh Rama.

Mbi të gjitha, tha ai, lirinë për të jetuar i qetë. “Çdo ditë ka konflikte, vrasje dhe në mënyrë sistematike po vriten komisarë policie. Jemi në një gjendje të patolerueshme. Gjendje që ka përgjegjësi, ka fajtorë dhe atyre që guxojnë të thonë se opozita përdor politikisht këto vrasje ne u themi se është pushteti dhe politika e dështuar e pushtetit përgjegjësja kryesore për këtë kriminalitet dhe këto vrasje”, nënvizoi Rama.

Topi: Koha për të vepruar! Kush nuk siguron jetën e qytetarëve duhet të largohet

Ish Presidenti i vendit e njëkohësisht kryetar i Partisë Fryma e Re Demokratike Bamir Topi ishte pjesë e homazheve për kryekomisarin e vrarë Dritan Lamaj. Në përfundim të homazheve, Topi deklaroi se është krejt e papranueshme një situatë e tillë me rendin dhe sigurinë publike. Sipas tij ata që nuk mbrojnë dot jetën e qytetarëve duhet të ikin. “Tanimë është koha për të vepruar”, u shpreh Topi.