TIRANË, 25 shkurt 2013 –Ishte gjallë dhe diçka u mundua të fliste, por nuk nxori dot asnjë fjalë. Kështu tregon për gazetën “Panorama” V.P., shitësja e dyqanit pranë vendngjarjes ku u vra ish-shefi i Komisariatit Nr. 6 në kryeqytet, Dritan Lamaj. Ajo është njëkohësisht fqinje me viktimën. 

“Nuk e pashë direkt, por sapo pushuan plumbat, dola menjëherë jashtë dyqanit. Kujtova mos u kishte ndodhur gjë djemve të mi dhe vrapova si e çmendur”. Kështu tregon fqinja e pyetur për ngjarjen nga “Panorama”. 

Më konkretisht, kur arritët te makina ku ndodhej Lamaj çfarë patë?

Pashë Tanin (Dritanin) që ishte mbushur në gjak. Ishte gjallë dhe diçka u mundua të fliste, por nuk nxori dot asnjë fjalë. Djemtë e lagjes e morën dhe e shtrinë te sedilja e pasme dhe direkt e nisën për në spital. 

Po ndonjë që u largua nga vendi i ngjarjes në mënyrë të dyshimtë, vutë re?

Ka qenë një motor, që kishte dy veta dhe një makinë me xhama të errët. Por ikën në drejtim të kundërt me dyqanin tim, ku menjëherë vjen kthesa dhe nuk ka as drita. U zhdukën sa hap e mbyll sytë. 

Po t’i shohësh sërish ata dy persona, ose makinën, do t’i njihje?

Jo, jo, ishte errësirë. Nga makinat të thashë që nuk marr vesh fare se ç’lloj janë. 

E mban mend sa herë kanë qëlluar vrasësit?

Është qëlluar dy herë, por me breshëri. Me 3-4 sekonda pushim nga breshëria e parë në të dytën.