DIBER, 25 shkurt 2013 – Vrasja makabre e vjehrrës 67-vjeçare Naime Skuka nga dy nuset në një fshat të Peshkopisë vazhdon të ketë jehonë në opinionin publik. Dy kunatat, pas ngjarjes tronditëse të ndodhur më 12 shkurt, por që u zbulua tri ditë më vonë, kanë dhënë detaje në rrëfimin e tyre para grupit hetimor. Një pjesë e tyre zbardhen sot nga burimet. Edhe pse fshati Hotesh aludoi për lidhje jashtëmartesore të 25- vjeçares Xhemile Skuka dhe kunatës së saj 33 vjeçe, Hikes, ato e kanë mohuar kategorikisht. “Gratë e Skukajve nuk kanë shanse të kenë meshkuj të tjerë veç burrave me të cilët janë martuar”, mësohet të kenë thënë ato.
“Vjehrrën e lidhëm, pastaj e dogjëm me vaj”
Burime pranë grupit hetimor sqarojnë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:00 të datës 12 shkurt dhe jo në mesnatë, siç është deklaruar më parë nga kunatat Skuka. Sipas tyre, një revoltë e çastit ka çuar në ekzekutimin e 67-vjeçares Naime Skuka. “Rreth orës 10:00 të 12 shkurtit të këtij viti, pasi kemi debatuar me vjehrrën, e kemi lidhur atë me litar në kasollen e bagëtive. Ajo bërtiste me zë të lartë dhe përpiqej të na përballonte. Ne dyshojmë se pikërisht në këto momente komshinjtë duhet të kenë dëgjuar britmat e Naimes. Nuk e patëm menduar vrasjen e vjehrrës, por ajo vazhdoi fyerjet e kërcënimet në adresën tonë”, ka treguar Xhemilja. Ndërsa Hikja ka vazhduar: “Pas debateve të ashpra në qilarin e bagëtive, Xhemilja shkoi në banesë dhe ngrohu një xhezve me vaj në zjarr. Në momentin që vjehrrën e lidhëm me litar nga këmbët e duart, asaj i ra të fikët, humbi ndjenjat dhe nisi të dridhej nga frika, kuptoi se diçka e keqe po i ndodhte. Xhemilja solli vajin e nxehtë në kasolle, ku vjehrra ishte gati e përgjumur. Ia hodhëm në vesh dhe pamë se brenda pak minutave vjehrra dha shpirt”. Pas krimit të kryer, dy kunatat kanë ndërmarrë aktin tjetër, atë të fshehjes së kufomës, me pretendimin se ajo nuk do të gjendej kurrë. Të njëjtat burime sqarojnë se në dosjen hetimore është dokumentuar mënyra sesi Xhemile e Hike Skuka kanë kryer groposjen e vjehrrës. “Ne, – ka vijuar Hikja, – pasi konstatuam vdekjen e vjehrrës, ramë dakord ta groposim në kasollen e bagëtive. Veglat e punës i kishim në kasolle, sepse i përdornim për largimin e plehut të bagëtive. Hapëm një gropë afro gjysmë metri thellësi dhe futëm plakën brenda ashtu siç ishte, me ato rroba që kishte veshur”.
“Nuk e vramë për çështje morali”
Dy kunatat nuk kanë pranuar se e kishin paramenduar vrasjen e vjehrrës, por kanë deklaruar se gjithçka lidhet me sherrin e çastit, pasi vjehrra u ka kërkuar të punojnë më shumë, të pastrojnë oborrin e shtëpisë nga plehu i bagëtive, ndryshe do ta kishin punën keq. “Nuk është e vërtetë se e kemi mbytur vjehrrën për çështje morale, pasi ne nuk kemi pasur lidhje intime me asnjë person. Janë thjesht thashetheme të banorëve të fshatit Hotesh. Gratë e Skukajve nuk kanë shans të kenë të dashur, pasi burrat e këtij fisi janë të ashpër”, kanë pohuar Xhemile e Hike Skuka për grupin hetimor të ngjarjes që tronditi Dibrën, ngjarje e cila ka përfunduar te Krimet e Rënda.
Duke dashur të tregojnë se janë penduar për krimin e kryer, dy kunatat janë shprehur se ato kanë rrëfyer vullnetarisht në polici ngjarjen e ndodhur. “Na erdhi keq që e mbytëm vjehrrën dhe mëngjesin e së premtes ramë dakord të tregojmë ngjarjen. Fëmijët kërkonin gjyshen, ndërkohë sa herë hynim në kasolle, na kujtohej krimi. Menduam po ashtu se fqinjët na kishin diktuar dhe vendosëm të tregojmë krimin”, thanë për hetuesit Xhemile e Hike Skuka. Për të pasur siguri për jetën e gjashtë fëmijëve të tyre, ato janë dorëzuar në polici bashkë me pasardhësit e tyre. Pasi mësuan masën e sigurisë në Gjykatën e Peshkopisë, atë të arrestit pa afat, të dyja nuset janë transportuar drejt Burgut 313, ku ka ambiente izolimi për femrat e arrestuara.





