Shqipëria nuk duhet t’i shohë kosovarët veç si shifra, që gjatë verës ia mbushin plazhet dhe buxhetin. Ata meritojnë të njihen e respektohen më shumë.
Kur gjatë kohës së luftës në Kosovë, më 1998, shqiptarët në Tiranë mendonin se Drenica është katund e Podujeva gjendet në kufi me Shqipërinë nuk ua zija për të madhe. Mendoja se ende vuajnë nga traumat e trazirave dhe maskarallëkut të ‘97’tës. Po ashtu i arsyetoja edhe me faktin se jeta e gjatë në izolim dhe pamundësia për të marrë vesh se ç’ndodhte andej kufirit kishin bërë të veten dhe nuk i fajësoja pse na njihnin aq pak. Besoja se me kalimin e kohës gjërat do të përmirësoheshin dhe, më në fund, do ta harronim injorancën dhe do të dinim më shumë për njëri-tjetrin. Sidomos ata për ne.
Atëbotë të binte të dëgjoje edhe “margaritarë” të tjerë. Ndonjëri nuk e kishte të qartë pse ne kosovarët kishim nisur luftën me regjimin serb kur, sipas tyre, “jetonim mjaft mirë në Serbi”, ndërkaq të tjerëve nuk po ua rrokte dot pse po kërkonim shtet të pavarur, pasi që nuk do të ishim në gjendje ta mbanim.
Sërish i arsyetoja dhe kisha mirëkuptim për injorancën e tyre. E kuptoja se, edhe pse komunizmi kishte rënë, ata ende s’kishin mundur të na “zbulojnë”, për shkak se gjendja nën okupim e jona nuk ua mundësonte një gjë të tillë. Ndërkohë, ne kishim mundur të njihnim pak a shumë realitetin e tyre, për aq sa na ofronte programi televiziv i TVSH-së.
Që nga lufta kanë kaluar 15 vjet dhe kujtimet e trishta të asaj kohe m’u kthyen sërish këtë javë, teksa po shihja emisione televizive.
Në të parin, një kuic të cilin e dua shumë, kandidatët humbën pse nuk ditën të përgjigjen në pyetjen e sajuar gabim nga autorët e programit. Pyetja ishte: sa kryeministra kishte Kosova që nga shpallja e pavarësisë? Dhe, kur ata nuk vendosën asnjë lek te opsioni “pesë” u eliminuan sepse përgjigjja, sipas atyre që e kishin hartuar pyetjen, do të duhej të ishte pikërisht kjo – “pesë”. Madje, moderatori ua përmendi emrat që të gjithëve, nga Bajram Rexhepi deri te Hashim Thaçi. E Kosova që atëherë ka vetëm një kryeministër.
Nuk u vura faj kandidatëve, por sinqerisht u ndjeva keq që autorët e kuizit nuk e kishin idenë kur ishte shpallur pavarësia e Kosovës.
Njësoj më befasuan, për të keq, intervistat me qytetarë të Tiranës, të cilët nuk i dinin informatat themelore për shpalljen e pavarësisë, institucionet e himnin e Kosovës. E për t’ua vënë kapakun të gjithave një gazetare, të mërkurën mbrëma, teksa fliste për një ngjarje që kishte ndodhur në Kosovë në vitin 2001, i referohej asaj periudhe si “koha kur Kosova ishte nën Serbi”!
* * *
Mbase duket se kërkoj shumë, por besoj se është minimalisht e domosdoshme që qytetarët e Kosovës dhe të Shqipërisë t’i dinë informatat themelore për vendet respektive. Natyrisht, nuk pretendoj të them se shumica e kosovarëve dinë, ta zëmë, të debatojnë për Mallakastrën ose Parkun Kombëtar të Lurës.
Teksa politikanët për interesa të veta propagandojnë çdo ditë bashkimin kombëtar, ne njohim aq pak njëri-tjetrin, tregojmë injorancë të pashembullt për njëri-tjetrin dhe gënjejmë njëri-tjetrin duke u shtirur kinse njihemi.
Nuk besoj se gaboj po të them se shumica e kosovarëve dinë për Shqipërinë më shumë se qytetarët e Shqipërisë për Kosovën. E kam fjalën për ato që duhet të dihen, ato që mund të mësohen nga librat, mediet.
Mbase këtu kanë luajtur rol të rëndësishëm edhe televizionet shqiptare, të cilat kanë depërtuar fuqishëm në Kosovë, ndërkohë që ato kosovare s’para përcillen në Shqipëri.
Është e kuptueshme që ne dhe ata kemi jetuar dhe jemi zhvilluar në dy sisteme të ndryshme politike, jemi rritur në mjedise të ndryshme kulturore e sociale. Por kjo assesi nuk don të thotë se për njëri-tjetrin duhet të dimë aq pak ose aq sa edhe për fqinjët tjerë, me të cilët s’na lidh asgjë.
Nuk dua t’u vë faj qytetarëve të Shqipërisë për paditurinë që kanë për Kosovën dhe kosovarët por, po, dua t’i fajësoj elitat politike, kulturore e shoqërore që kanë bërë pak në kultivimin e njohjes reciproke.
Shqipëria nuk duhet t’i shohë kosovarët veç si shifra që gjatë verës ia mbushin plazhet dhe buxhetin. As elita politike nuk duhet t’i shohë si target për t’i shfryrë epshet patriotiko-folklorike. Kosovarët janë më shumë se kaq dhe nuk meritojnë të shihen e trajtohen me përçmim e inferioritet.
Natyrisht, është çështje individuale e secilit qytetar, këndej e andej, se sa dëshiron të informohet dhe të mësojë për vete dhe për të tjerët. Por, është e pafalshme të mos i dimë gjërat thelbësore. Jemi fqinj, më së paku.
E gjërat do të ndërrojnë për të mirë atëherë kur Tirana nuk do ta shohë Prishtinën si periferi – atëherë kur Kosova nuk do të shihet si krahinë e Shqipërisë, por si një shtet i pavarur.
Gjërat do të ndërrojnë për të mirë atëherë kur nuk do të shtiremi se duhemi, por respektohemi vërtet dhe pa paragjykime.
Deri atëherë, le të kënaqemi në injorancën tonë.
(“Express” Prishtinë)