TIRANE, 22 shkurt 2013– Dritan Dajti, i akuzuari për ekzekutimin e katër oficerëve të skuadrës speciale operacionale në 2009 në Durrës, ironizoi dje hapur Gjykatën e Krimeve të Rënda. Në seancën e djeshme gjyqësore, e cila u shty sërish për mungesë të avokatëve, Dajti u tha gjykatësve se nuk kanë mundur t’i sigurojnë dot një mbrojtës ligjor, ndaj për këtë i kanë kërkuar ndihmë kryeministrit Berisha. 

“Ju i keni shkruar kryetarit të Këshillit të Ministrave, pasi nuk më gjeni dot një avokat. Në dijeninë time, drejtësia është pushtet i pavarur nga politika. Unë kërkoj të më caktohet avokat nga lista kryesisht. Deri më tani janë caktuar afro 50 avokat, por në listë kryesisht janë edhe 250 avokatë të tjerë”, tha Dajti. Në seancë ishin thirrur për tu paraqitur avokatët Lin Aliaj dhe Kujtim Simoni. Avokati Aliaj i shkruante gjykatës se nuk mund të merrte përsipër mbrojtjen e të pandehurit Dritan Dajti, për shkak të ngarkesës së madhe me punë, ndërsa Simoni e njoftonte se ndodhej jashtë vendit.

Duke qenë se Dajti mbeti sërish pa mbrojtës, duke detyruar gjykatën të firmosë seancën e dështuar të radhës, u caktuan avokatë të tjerë. Gjyqi ndaj Dajtit nuk zhvillohet prej afro një viti e gjysmë dhe tentativat e gjykatës për ta zhbllokuar këtë proces kanë rezultuar të pasuksesshme. Dajti akuzohet se mesditën e 9 gushtit 2009 qëlloi për vdekje katër oficerët që tentuan t’i vinin prangat pas 7 vitesh arrati. Ai mbeti dhe vetë i plagosur dhe prej atëkohë ndodhet i ulur në karrige me rrota.