TIRANË, 21 shkurt 2013 – Në qendrat shëndetësore dhe infermieritë e strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura mbetjet spitalore nuk trajtohen të ndara, ato hidhen në koshat e mbetjeve urbane ose groposen në një vend të veçantë në afërsi, këto komente janë thënë në prani të kreut të dikasterit Arben Imami.
Në disa raste mbetjet shëndetësore pavarësisht se janë në sasi të vogla hidhen bashkë me mbetjet urbane, digjen ose groposen brenda vetë strukturave.
Mbetjet spitalore krijohen gjatë diagnostikimit, trajtimit ose imunizimit të njerëzve dhe të kafshëve. Ato mund të përfshijnë mbetje të tilla si: prerëse, mbetje të ndotura, fashë, shiringa, age, mbetje anatomike, kultura, ilaçe të skaduara, mbetje kimike.
Ekspertë ushtarakë të mjedisit kanë thënë se mbetjet spitalore konsiderohen mbetje të rrezikshme, pasi mund të përmbajnë substanca toksike. 75-90 për qind e mbetjeve janë të njëjta me ato shtëpiake dhe 10-25 për qind janë mbetje infektive/të rrezikshme. Ato mund të jenë tepër toksike për njerëzit, kafshët dhe bimësinë.
Nëse këto 2 kategori nuk ndahen saktë, e gjithë sasia duhet të konsiderohet si infektive/e rrezikshme. Ato sjellin rreziqe biologjike, kimike dhe fizike.
/th. m. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/





